“Liria ka emër!” – Shqipëri dhe Kosovë bëhen bashkë në protestën për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK
Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur prej orëve të para të pasdites në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në protestën në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që prej kohësh ndodhen në Hagë, në paraburgim: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së, protestues nga të gjitha trevat shqiptare kanë mbërritur në Tiranë për t’u bërë pjesë e tubimit të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, me moton “Liria ka emër”.
Në këtë protestë kanë nisur të mbajnë fjalën personalitete të ndryshme të rëndësishme politike dhe historike, si ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. I pranishëm është edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndërsa pjesëmarrja e Lutfi Hazirit nga LDK është gjithashtu e konfirmuar.
Ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me uniformat ushtarake janë prezentë, ashtu si edhe mijëra qytetarë jo vetëm nga Shjqipëria e Kosova, por deri edhe nga Zvicra kanë ardhur që të këndojnë por njëkohësisht të protestojnë ndaj Gjykatës Speciale, e cila sipas tyre po mban me të padrejtë heronjtë e luftës së Kosovës, të izoluar dhe larg atdheut të tyre. Kjo protestë është një thirrje e drejtpërdrejtë për liri, atë liri që ata që luftuan për Kosovën e njohin shumë mirë dhe nuk mund ta humbin sërish për shkak të gjykimeve të padrejta.


