Kastro Zizo: Pas 10 vitesh jetoj me vajzën time, nuk e dija që kishte autizëm
Kastro Zizo ka qenë gjithnjë një ndër personazhet më rebelë në median shqiptare dhe një artist i veçantë, e rrjedhimisht çdo “dalje” e tij është shoqëruar me të papritura apo me improvizime që bëjnë të flitet.
E tillë ka qenë dhe intervista e tij e fundit me Salsano Rrapin dhe Elona Duron në Top Albania Radio, ku përveçse ka gjetur “të papërgatitur” drejtuesit e programit, ai ka dhënë dhe një rrëfim të ndjerë.
Teksa ka folur për jetën e tij private, marrëdhënien me fëmijët, 2 djem dhe 1 vajzë të cilët i ka nga marrëdhënie të ndryshme, Kastro është ndalur pak të flasë për Nian 13-vjeçare, me të cilën është bashkuar së fundmi pasi nuk është lejuar për gati 10 vite të takohet siç do donte ai.
“Fëmijët janë mirë. Tashmë u bënë disa muaj që të 3 jetojnë në Tiranë, i mblodha.” – shprehet fillimisht i buzëqeshur Kastro, duke treguar se është rikthyer jo vetëm një nga djemtë, Dankani pas eksperiencës së tij me futbollin në Barcelonë, por edhe vajza 13-vjeçare që jetonte pranë të ëmës në Prishtinë.
“Erdhi edhe vajza, e cila nuk është një fëmijë normal, nëse do të flasim me terminologjinë që përdorim ne. Them kështu sepse ajo është me spektër autik, që në fakt vjen edhe si pasojë e një historiku të gjatë jo fort të mirë, të vendit ku ka jetuar këto vite me nënën e saj.” – rrëfen artisti, çka ka surprizuar drejtuesit e programit radiofonik.
“Kam bërë mirë që e kam marrë në Tiranë. Tashmë unë i kam hyrë një procesi ligjor pasi jam një person që lufton gjithnjë për të drejtën dhe për të vërtetën. Në një histori duhet të ketë edhe përgjegjës; ashtu si një fjalë e thënë mund të shkaktojë trazira, pasoja ka edhe moskujdesi ndaj personit që i ke dhënë jetë.” – shton Kastro, si për të thënë se një faj të madh për gjendjen e vajzës së tij ka mamaja e saj që nuk i ka dhënë kujdesin e duhur.
Elona Duro e ka pyetur këngëtarin se përse kishte kaq shumë kohë pa pasur kontakt me të bijën, çka e bëri Kastron të argumentojë se 10 vite larg saj ishin të vështira, e aq më tepër surpizuese kur mori vesh gjendjen e saj shëndetësore, gjë të cilën nuk e kishte ditur më parë.
“Influenca e njerëzve ka bërë që unë mos ta takoja vajzën time për 10 vite. Ndoshta kanë menduar se nuk jam i denjë. Ndërkohë, ajo që kanë bërë është që kanë tentuar të rrisin jo një qenie njerëzore, pasi nuk kanë ditur si të rrisin një fëmijë.” – rrëfeu më tej Kastro Zizo. Në fund të rrëfimit të ndjerë ai tha se vajza tashmë jeton në një shtëpi me të, pasi shkoi para pak muajsh ta merrte atë tek Shërbimet Sociale në Prishtinë në kushte jo të mira shëndetsore, pikërisht për arsyet e sipërpërmendura. Ai tha se vajza tashmë po merr kujdesin e duhur, edhe pse nuk është e lehtë për një 13-vjeçare që të ambientohet në një jetë të re, me njerëz të rinj e në një vend ndryshe.