Artisti J Balvin gjen “zgjidhjen” ndaj ankthit dhe depresionit
Ndoshta jo shpesh jemi mësuar të ndjekim këshilla për çështje shumë serioze si ajo e shëndetit mendor, nga artistët që pëlqejmë, por J Balvin ka një mënyrë “të thjeshtë” për ata që vuajnë nga ankthi apo depresioni: Hiqni telefonin nga duart!
“Shkëputuni për pak, largohuni nga rrjetet sociale. Ato e shtrembërojnë realitetin, ju bëjnë të mendoni se të tjerët kanë zbuluar sekretin e jetë, çka ju fut në mendime të këqija. Filloni të krahasoni jetën tuaj me to dhe humbni rrugën tuaj.” – shprehet ylli i regetonit për “People”.
40-vjeçari këshillon që çdokush duhet të fokusohet në objektiva të vërtetë, të thjeshtë, si për shembull një telefonatë me mamanë, apo një darkë me shoqërinë. Janë këto gjërat që J Balvin i vlerëson si më të rëndësishmet.
Bëjmë me dije se Balvin ka vujatur më parë nga probleme të shëndetit mendor, për të cilat është shprehur se të qenurit i famshëm i bën gjërat edhe më të vështira për t’i shprehur. “Për një kohë të gjatë, si artist kam ndjerë presionin për t’u dukur gjithmonë i fortë, sikur jeta të ishte perfekte. Por e vërteta nuk është kështu. Ne jemi qenie njerëzore dhe kemi problemet tona. Këshilla ime është që gjërat të mos i mbajmë brenda vetes. Nëse vuan nga depresioni apo ankthi duhet kërkuar ndihmë nga personat që të duan dhe mund të të ndihmojnë. Në fillim unë i shihja gjerat vetëm të errëta. Kur m’u zbulua diagnoza u çlirova, pasi më në fund dija se me çfarë do të luftoja.” – shprehet në intervistën e tij artisti shumë i dashur në mbarë botën, i cili shton se duke qenë i sinqertë për problemet, mund t’i zgjidhësh të gjitha gjërat.
