Nga ëndrra personale në mision global/ Historia e Xhoana Sitës
Në një botë ku emigrimi shpesh përkthehet në sfidë dhe vetmi, Xhoana ka zgjedhur ta shndërrojë këtë përvojë në mision. Me rrënjë në Shqipëri dhe jetë të ndarë mes Gjermanisë e vendlindjes, ajo ka ndërtuar jo vetëm një karrierë të suksesshme si sipërmarrëse, por edhe ura të bashkëpunimi, mbështetjeje dhe frymëzimi për shumë gra të tjera në diasporë. Si Ambasadore e “Global Woman Club Diaspora” në Gjermani, Xhoana përfaqëson një brez të ri grash që ndërtojnë me guxim, kujdes dhe qëllim. Në këtë intervistë të veçantë, ajo ndan me ne rrugëtimin e saj, sfidat, balancën mes punës dhe familjes, si dhe vizionin e saj për të ardhmen.

– Xhoana, si lindi dëshira për të ndërtuar ura mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe çfarë të frymëzoi të ndërmarrësh rrugën e sipërmarrjes?
Dëshira ime lindi nga përjetimi personal. Kur je emigrante, e sheh sa e vështirë është të përshtatesh, të gjesh siguri dhe të ndërtosh një jetë të re. Për shumë njerëz ky udhëtim është plot sfida, ndaj unë ndjeva një thirrje të brendshme: të ndërtoj ura mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Jo thjesht për të ofruar vende pune, por për të dhënë shpresë, stabilitet dhe një të ardhme më të mirë. Ajo që më ka frymëzuar gjithmonë është besimi se kur ndihmon dikë të ecë përpara, edhe ti rritesh bashkë me të.
– Çfarë do të thotë për ty të jesh grua në biznes ditët e sotme dhe cilat janë vështirësitë që has çdo ditë?
Të jesh grua në biznes është një përzierje forcash: vizion dhe guxim, por edhe ndjeshmëri dhe kujdes. Sfidat nuk mungojnë nga paragjykimet gjinore, deri te balancimi i roleve të shumta që mbajmë çdo ditë si nënë, bashkëshorte dhe sipërmarrëse. Por unë besoj se këto vështirësi na bëjnë më kreative, më të forta dhe më të vendosura.

– Si e ndan jetën mes dy vendeve, por edhe mes punës dhe familjes?
Është një sfidë e madhe, por edhe një dhuratë e jashtëzakonshme. Jeta mes Shqipërisë dhe Gjermanisë më ka dhënë mundësinë të jetoj dy kultura paralelisht dhe të marr vlerat më të mira të secilës. Çelësi im është të shoh kohën si cilësi, jo sasi: kur jam në punë, jam e përqendruar maksimalisht; kur jam me familjen, jam e pranishme me zemër.
– Cilat janë ritualet apo momentet që të mbajnë e lidhur me veten?
Unë e gjej ekuilibrin tim në gjëra të thjeshta: një filxhan çaji në mëngjes, disa minuta reflektim ose lutje, si edhe aktiviteti fizik, sidomos Pilates. Këto më japin qetësi, fokus dhe lidhje me vetveten.
– Ke ndërtuar ekipe ku gratë zënë vend të rëndësishëm. Çfarë ke mësuar nga gratë me të cilat punon çdo ditë?
Kam mësuar se gratë janë të pabesueshme në forcë dhe në përkushtim. Shumë prej tyre mbajnë mbi supe dyfishin e barrës, punën dhe familjen e megjithatë shkëlqejnë. Nga to kam mësuar durim, qëndrueshmëri dhe fuqinë e bashkëpunimit.

– Si është një ditë e zakonshme e jotja dhe çfarë të jep energji në ditët e vështira?
Një ditë e zakonshme nis duke përgatitur djalin tim 2-vjeçar për në kopsht. Është një moment i vogël, por shumë i çmuar, që më mbush me dashuri dhe energji. Më pas shkoj në zyrë, shpeshherë punoj edhe me bashkëshortin tim, dhe e ndaj kohën mes dy kompanive që drejtoj. Ekipi im i asistentëve personalë më ndihmon të mbaj rend dhe qartësi në prioritetet e shumta. Ajo që më jep energji në ditët e vështira është mendimi se puna ime prek realisht jetën e njerëzve dhe se çdo hap i vogël ka ndikim të madh.
– Çfarë roli ka bashkëshorti dhe familja jote në këtë rrugëtim?
Familja është themeli im. Bashkëshorti im është mbështetësi më i madh dhe partneri im në çdo hap. Djali im është frymëzimi im i përditshëm, arsyeja pse dua të ndërtoj një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më të ndritur.

– Sa rëndësi ka mbështetja për një grua që kërkon të realizojë ëndrrat e saj?
Mbështetja është gjithçka. Një grua që ndjen se ka hapësirë të fluturojë, mund të arrijë më shumë sesa mund ta imagjinojë dikush. Për këtë arsye, unë përpiqem të krijoj gjithmonë një kulturë mbështetjeje dhe fuqizimi në ekipet e mia.
– Si e shihni rolin tuaj si Ambasadore e Global Woman Club për Diasporën në Gjermani?
Ky rol përfaqëson gjithçka që kam bërë deri më tani. Kam ndërtuar një rrjet të gjerë në Gjermani, ku kam ndihmuar shumë gra me viza pune, integrim dhe hapjen e bizneseve të reja. Kam parë se si ndryshon jeta e një gruaje kur merr mbështetjen e duhur. Tani, si Ambasadore, ndiej një përgjegjësi edhe më të madhe për të përdorur këtë platformë, për të ndërtuar ura dhe për të krijuar një komunitet ku gratë ndihen të fuqizuara, të motivuara dhe të bashkuara.
– Nëse do t’i jepje një këshillë vetes tënde kur ishe 20 vjeçe, çfarë do t’i thoje?
Do t’i thoja: “Besoi instinktit tënd, mos ki frikë nga dështimet dhe mos prit momentin perfekt por krijoje vetë atë. Çdo hap, edhe kur duket i vogël, është pjesë e rrugës drejt ëndrrës tënde.”
