12 vite pas aksidentit tragjik, Vin Diesel kujton shokun e tij të ngushtë Paul Walker
Ditën e sotme, aktori Vin Diesel ka kujtuar shokun e tij të ngushtë dhe kolegun e “Fast & Furious”, Paul Walker, i cili u nda nga jeta tragjikisht 12 vite më parë.
“Dom” ka postuar në profilin e tij në Instagram një foto të të dyve që duken se janë në momente pushimi të një skene filmi. Vin është në këmbë duarkryq, ndërsa Paul i ulur pranë tij, në dukje i mendueshëm.
“12 vjet… nesër.” – shkruan shkurt Diesel, por një fjali që mbart shumë emocione, kur mendon për lidhjen që kishin 2 personazhet më njëri-tjetrin.
Aksidenti tragjik me makinë më 30 nëntor të vitit 2013 i mori jetën 40-vjeçarit Walker, një ngjarje kjo që përveçse preku zemrat e miliona fansave anembanë botës, ndryshoi edhe të ardhmen e serive pasardhëse të “Fast & Furious”.
Kujtojmë se Vin Diesel e kujton çdo vit edhe publikisht shokun e tij të ndjerë, me të cilin kishte një marrëdhënie speciale edhe jashtë. Ata u takuan për herë të parë bashkë në vitin 2001 në filmin e parë të “Fast & Furious”, duke formuar një nga dyshet më të forta dhe më emocionuese në botën e Hollywood-it, atë mes Dom dhe Brian. Nga skena në skenë, nga filmi në film, ata krijuan një lidhje po aq të fortë dhe në jetën e përditshme, të njëjtë me “familjen” e famshme që predikonte personazhi i Vin Diesel në film.
Vdekja e Walker erdhi papritur dhe në mënyrë shokuese për këdo në mes të xhirimeve të “Fast & Furoius 7”, i cili me ndryshimet e detyrueshme u mbyll me skenën emocionuese ku shihet Brian që drejtohet me makinë drejt perëndimit të diellit.
Për të mbajtur gjallë kujtimin dhe kontributin e tij në këtë film shumë të dashur, në seritë pasardhëse producentët janë kujdesur që ta sjellin personazhin e Paul Walker herë pas here nëpërmjet detajeve në jetët e personazheve aktualë.
Të gjithë kolegët e kastit e ndjejnë edhe sot mungesën e Paul Walker, ama për Vin Diesel, përvjetori i ndarjes së tij nga jeta nuk është thjesht një datë në kalendar, por një kujtim për një mik që dikur e thërriste “vëlla”. Vin ka rrëfyer në një intervistë të vjetër se e kishte shumë të vështirë të vazhdonte xhirimet pas ngjarjes, por është ndihmuar shumë nga kolegët e tij e madje edhe nga familja e Paul, me të cilën edhe sot frekuentohet rregullisht.

