“Wakanda Forever” – Aktori Chadwick Boseman nderohet me një yll në “Walk of Fame”, pas vdekjes
Chadwick Boseman, aktori i dashur që u shndërrua në një simbol në mbarë botën falë interpretimit të T’Chala në filmin e superheronjve “Black Panther”, u nda nga jeta në vitin 2020, si pasojë e një beteje “të heshtur” me një sëmundje vdekjeprurëse.
Për të nderuar kujtimin e tij, profesionalizmin dhe impaktin që pati si person por edhe si aktor, ai u vlerësua pas vdekjes me një Yll në “Wlak of Fame” të Hollywood-it.
Në ceremoninë emocionuese, prezentë ishin bashkëshortja e tij Simone Ledward Boseman, kolegia dhe mikesha e tij Angela Bassett si dhe përfaqësues të tjerë të botës së Marvel.
Një foto e aktorit të ndjerë, këpucët e tij dhe shumë emocione ishin “pasqyra” e ceremonisë vlerësuese. Gjatë këtij takimi u shfaqën edhe imazhe nga momente të rëndësishme të karrierës së Chadwick, me publikun prezent që duartrokiste në shenjë respekti.
Kujtojmë se Boseman, simboli i “Wakanda Forever”, u shndërrrua në një përfaqësues identiteti dhe krenarie për shumë komunitete.
“Chadwick e jetonte çdo rol me një dedikim maksimal!” – u shpreh Simone Ledward, bashkëshortja e Boseman. Nga ana tjetër, kolegia e tij Angela Basset tregoi se Chadwick kishte aftësinë ta transformonte çdo skenë filmi në një akt autentik, duke e shndërruar gjithçka në reale.
Shumë kolegë në Hollywood e konsiderojnë Chadwick Boseman një pikë referimi, jo vetëm për talentin e tij por edhe për aftësinë për të sjellë në mënyrë të përkryer në ekranin e madh, histori që flasin për identitet, kurajo dhe qëndrueshmëri.




