(video) Nuk kishte folur asnjëherë, 6-vjeçari me autizëm joverbal nis të këndojë papritur
Një moment i mrekullueshëm i ka zbukuruar ditën, ose më saktë gjithë jetën një familjeje në jug të Anglisë.
Ronnie, një djalë autik 6-vjeçar i cili nuk kishte folur kurrë më parë, i ka surprizuar të gjithë kur papritur ka nisur të këndojë një këngë të muzikës pop, teksa udhëtonte në makinë me motrën e tij.
“Shijojeni këtë moment të veçantë të kapur nga motra dhe vëllai i saj.” – shkruan poshtë videos së postuar në TikTok, mamaja e Ronniet, e cila ka dashur të ndajë me të gjithë lumturinë e saj.
Zbulimi i autizmit dhe njëkohësisht problemet e mëdha me komunikimin verbal që prej moshës 3-vjeçare kishin bërë që prindërit e djalit të vogël t’i humbnin shpresat për një surprizë të tillë, por pa mbushur ende 7 vjeç Ronnie u fali atyre gëzimin më të madh.
“Kupton pjesën më të madhe të gjërave që ne themi, por është shumë e vështirë për të që të shprehet.” – rrëfen Jenni, mamaja e Ronneyt për “Newsweek”.
Pavarësisht se familja e vogëlushit kishte përdorur të gjitha metodat për ta ndihmuar atë të fliste, nga sistemi me imazhe (PECS), te gjuha me shenja Makaton e deri te aparatet vokale, ai kurrë nuk kishte lëshuar një tingull apo një fjalë me kuptim.
Por ja që një ditë mjaftoi shoqëria e së motrës Grace dhe kënga e famshme në mbarë botën “APT” e Rose dhe Bruno Mars, që Ronnie të niste menjëherë të këndonte. Për ata që nuk kanë informacion për problemet që ka Ronnie kjo mund të duket si një gjë e thjeshtë, ama për familjen e tij është një mrekulli e vërtetë.
Ndërkohë që Ronnie këndonte, motra e tij 19-vjeçare ruajti qetësinë, çka mamaja e tyre e vlerëson si diçka të jashtëzakonshme. Për Ronnien motra është një pikë referimi, ndihma më e madhe, prandaj ajo nuk reagoi në momentin e parë që të mos e vinte në siklet vëllanë e të mos e ndërpriste. “Si prindër të gjithë ëndërrojnë të dëgjojnë fjalët ‘mami’, ‘babi’ ose ‘të kam xhan’, por ai moment këndimi për ne ishte i barabartë me të gjitha këto.” – shprehet e lumtur mamaja e 6-vjeçarit, edhe pse përpara kanë një rrugë të gjatë durimi, sakrificash dhe pune që djaloshi të përmirësohet sa më shumë dhe të komunikojë lehtësisht me familjen e tij.