Trump kundër revistës “Time”: Më keni bërë foton më të keqe ndonjëherë!
Një “përplasje” tjetër në distancë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe revistës së njohur “Time” ka marrë vëmendjen e publikut.
Kopertina e fundit e titulluar “His Triumph”, e cila sheh portretin e Trump, në një shkrim të dedikuar atij për meritat e arritjes së një paqeje të përkohëshme në Gaza, është kritikuar nga ky i fundit, për imazhin, jo për përmbajtjen. Ai ka akuzuar redaksinë e “Time” se foto e përzgjedhur për kopertinën nuk është aspak e bukur dhe nuk i bën “nder”.
“Revista Time ka bërë një shkrim relativisht të mirë për mua, por fotografia mund të jetë më e keqja e të gjitha kohërave.” – ka shkruar Trump në profilin e tij zyrtar në Truth Social.
“Kanë ‘zhdukur’ flokët e mia, e më pas kanë shtuar diçka sipër si një kurorë lundruese, por shumë shumë të vogël. Shumë e çuditshme!” – shton më tej presidenti amerikan, i cili duket i habitur nga përzgjedhja e bërë nga revista e famshme, duke i bërë asaj pyetje ‘pse’?”
Donald Trump shprehet se nuk i kanë pëlqyer kurrë fotot nga poshtë, edhe pse në fakt deklarata e tij, më shumë se një kritikë profesionale komentohet si një ironi ndaj revistës, që vjen si pasojë e një konflikti të vazhdueshëm mes palëve. Nga ana e saj, revista prestigjoze nuk ka replikuar, duke u limituar me publikimin e kopertinës të shoqëruar nga titulli “His Triumph”, duke luajtur me ngjashmërinë e fjalëve Triumph dhe Trump.

