Reperi Diddy surprizon të burgosurit e tjerë, gatuan gjel deti për ta në Ditën e Falenderimeve
“Bashkëvuajtësit” e reperit Diddy në burgun federal “Fort Dix” ndoshta kanë pritur të kalojnë një Ditë Falënderimesh të zymtë, të vakët si vitet e tjera, ama atmosfera ndryshoi krejtësisht falë iniciativës së organizuar e të financuar nga vetë artisti i famshëm.
Sean Combs, nëpërmjet një prej përfaqësuesve të tij ka konfirmuar për TMZ se ai u bashkua me një grup të brendshëm të quajtur “Bankroll Bosses”, me të cilët bleu ushqime nga komisarati i burgut, i përgatiti për dy ditë rresht e më pas i shpërndau në çdo godinë të institucionit.
“Për mua, Dita e Falënderimeve do të thotë të bësh të mundur që të gjithë të kenë ushqim në tryezë.” – është shprehur Diddy.
“Të gjithëve u mungon familja në këtë periudhë dhe shumë njerëz bien në depresion gjatë festave. Ne thjesht deshëm të bashkoheshim si një familje dhe të krijonim diçka tonën.” – thuhet të jetë shprehur ai.
B.I., një ish-udhëheqës bande që bashkëpunoi në organizim me Diddy-n tha se atyre iu deshën 2 ditë që të kishin gjithçka gati për t’ja shpërndarë të tjerëve.
“Gatuam ushqim dhe e dërguam në të gjitha godinat. Mjaftoi për rreth 200 persona për çdo ndërtesë. Na u deshën dy ditë për të përgatitur gjithçka.” – tha ai.
Përballja me mungesën e kushteve të gatimit ka qenë sfiduese: pa soba, pa mikrovalë dhe me mjetet e vetme për prerje, kartat e identitetit të të burgosurve. Ndërkohë, menuja zyrtare e burgut përfshinte mish gjeli me garniturat përkatëse, pure patatesh, misër dhe ëmbëlsirë. Gjithçka duket si një skenë filmi, por Diddy-t i duhet të përshtatet me jetë e tij të re, duke i dhënë pak nga vetja edhe shokëve që vuajnë dënime, ndoshta për të kujtuar party-t e tij të mëdha para se të dënohej.
“Ka shumë keqkuptime rreth burgut. Këtu ekziston një vëllazëri e fortë. Ne kujdesemi për njëri-tjetrin. Është një gjë pozitive. Është një shtëpi brenda një vendi të errët.” – ka thënë reperi i famshëm, i cili u dënua në muajin korrik me 50 muaj burg për shfrytëzim të personave për prostitucion apo aktivitete seksuale, në festat e mëdha të organizuara ndër vite prej tij.

