Kleofina, bashkëshortja e futbollistit të Interit “detyron” Pavard ta pyesë shqip “a do kafe?”
Në episodin e fundit të programit “Mirëmbrëma yje” të Arbana Osmanit, i cili publikohet në Youtube, e ftuar ka qenë Kleofina Pnishi, modelja dhe aktorja kosovare, e cila është martuar me futbollistin e Interit, Benjamin Pavard.
E buzëqeshur dhe me sinqeritetin që e karakterizon, Kleofina rrëfeu detaje nga marrëdhënia e saj me francezin, momentin e njohjes dhe sekrete të tjera të lidhjes së tyre.
“Ne jemi njohur në vitin 2018. Atëherë unë e kisha kokën si babai im: duhet të merrja një burrë shqiptar patjetër. Shoku i tij i ngushtë ishte i lidhur me shoqen time të ngushtë dhe u njohëm në ditëlindjen e saj, por unë në asnjë moment nuk e pashë me syrin se Benjamin mund të jetë e ardhmja ime. Madje as nuk më ka pëlqyer aspak në fillim,” – shprehet Kleofina për momentet e para të njohjes së tyre.
Gjithësesi, kur Arbana e pyet se farë tha ai në takimin e tyre të parë, modelja shprehet se ai i ishte rrëfyer shokëve të tij. Pavard kishte bërë një “premtim”, që pavarësisht se me kalimin e kohës secili do të kishte të dashur të tjerë, në fund Kleofina do të bëhej e tija dhe do të martoheshin bashkë, e në fakt kështu rezultoi.
“Më dërgonte lule, pyeste shoqërinë për mua, vinte në çdo ditëlindje ku isha dhe unë, por për rreth 5 vite asnjëherë nuk pata një ‘date’ me të.” – shton Kleofina, duke thënë me shaka se nuk e kupton se si nuk e ka pëlqyer në momentet e para, se në fakt Benjamin është shumë i mirë.
Ajo shprehet që çdo gjë që ajo kërkonte tek një mashkull, futbollisti e ka: është ambicioz, e ka zemrën e mirë, është tip gazmor, është vetvetja dhe ajo çka është më e rëndësishmja, vet Kleofina është vetvetja kur është krah Pavard.
“Nuk ka asnjë kriter më të rëndësishëm se të jesh vetvetja me personin që ke në krah. Nuk shtiresh, nuk mundohesh të dukesh më bukur, më e suksesshme, je thjesht vetvetja.” – thekson 31-vjeçarja, që është 2 vite më e madhe në moshë se bashkëshorti.
Gjatë intervistës Kleofina edhe e ka marrë në telefon me kamera Pavardin, i cili foli dhe pak shqip, duke thënë fraza si “si je?”, “dashni”, “të dua” apo “mirë, mirë”.
Madje Kleofina “e ka detyruar” futbollistin që çdo mëngjes kur të zgjohet ta pyesë atë apo të ëmën “A do lëng, apo do kafe?”, sigurisht në shqip. Kujtojmë se Benjamin Pavard dhe Kleofina Pnishi u martuan në korrik të këtij viti, në një dasmë të madhe në Amalfi.
