Kina zbulon 2 nga vendburimet më të mëdha të arit në botë, mësohet vlera marramendëse e tyre…
Në Kinë, brenda një viti janë identifikuar dy vendburime gjigande ari, të cilat së bashku mendohet se mbajnë rreth 2.500 tonë të metalit të çmuar.
Kjo sasi kaq e madhe pritet që me vlerën e sotme të arit të “përkthehet” në plot 270 miliardë euro, duke u shndërruar në një nga zbulimet më të rëndësishme të dekadave të fundit në mbarë botën.
Sipas ekspertëve, sasia më e madhe ndodhet në vendburimin Daddongou me rreth 1500 tonë ar, ndërsa pjesa tjetër gjendet në vendburimin Wangu të provincës Hunan.
Ka qenë zëvendësministri kinez i Burimeve Natyrore ai që ka konfirmuar këtë lajm të jashtëzakonshëm, kurse zbulimi u publikua në revistën shkencore “China Mining Magazine”.
Edhe pse Dadonggou ishte i njohur që prej viteve ’80, atëherë u konsiderua një vendburim me potencial të ulët ekonomik. Por studimet e reja zbuluan përmasat reale të vendburimit të pozicionuar në brezin orogjenetik paleoproterozoik Jiao-liao-Ji, i cili rezulton jashtëzakonisht i pasur, ndonëse i klasifikuar si “me cilësi shumë të ulët”.
Në këtë vendburim ka vetëm rreth 0.5 gramë ar për çdo ton shkëmb, çka kërkon procese të mëdha dhe të kushtueshme për nxjerrjen e sasisë totale. Megjithatë, shkalla e rikuperimit vlerësohet të jetë nga 65% në 91%, duke e bërë projektin teknikisht të realizueshëm. Për shfrytëzimin e minierës janë alokuar tashmë gati 2.5 miliardë euro, me financim të siguruar deri në vitin 2027.
Bëjmë me dije se Kina mbetet prodhuesja më e madhe e arit në botë, por sërish nuk arrin të përmbushë kërkesën në rritje, e nxitur edhe nga çmimi rekord i metalit të çmuar. Aktualisht, ari po tregtohet me mbi 4.100 dollarë për ons. Zbulimi në Dadonggou nuk ka vetëm një vlerë marramendëse ekonomike, por i hap rrugën strategjive të reja globale të kërkimit të arit. Kjo për arsye se sipas gjeologëve, kjo depozitë ndodhet në një zonë të llojit që më parë nuk mendohej të kishte potencial të tillë mineral. Në studim, ekspertët e kanë quajtur këtë vendburim si një model të ri gjeologjik që mund të çojë në të tjera zbulime në rajone të ngjashme jo vetëm në Kinë, por në mbarë botën.