Këngëtarja Adele, tashmë edhe aktore. Së shpejti protagoniste e filmit të Tom Ford…
Këngëtarja Adele, e cila është shkëputur përkohësisht nga muzika, pritet të bëjë debutimin e saj në ekranin e madh, pasi është përzgjedhur si protagoniste e filmit të ri “Cry to Heaven”, që shënon rikthimin e regjisorit të famshëm Tom Ford pas gati 10 vitesh larg kinemasë.
Ky film, i cili bazohet në romanin e Anne Rice të vitit 1982, zhvillohet në Italinë e shekullit të XVIII-të, ku ndërthuren historitë e një fisniku venecian dhe një këngëtareje, në botën dramatike dhe joshëse të operës.
Adele do të jetë në qendër të një kasti të fuqishëm ku marrin pjesë Nicholas Hoult, Aaron Taylor-Johnson, Colin Firth, Thandiwe Neëton, Ciarán Hinds, Hunter Schafer etj.
Tom Ford, i njohur si dizajner dhe regjisor, ka shkruar skenarin dhe do të drejtojë filmin përmes kompanisë së tij “Fade to Black”. Ford është vlerësuar shumë në projektet e tij të mëparshme si “A Single Man” dhe “Nocturnal Animals”, të cilat kanë marrë nominime dhe çmime prestigjioze ndërkombëtare.
Vetë Adele është shprehur më herët e interesuar për aktrimin, duke pranuar se ka pritur një rol të veçantë. “Është i vetmi rol që dua dhe besoj se do ta bëja shkëlqyeshëm.” – ka deklaruar ajo në një intervistë për “Hollywood Reporter”. Me “Cry to Heaven”, duket se pritja e saj më në fund ka marrë përgjigje pozitive.