Justin Timberlake mbështet Britney Spears: Meriton një jetë të lumtur
Gjatë një seance gjyqësore të mbajtur ditën e djeshme, Britney Spears rrëfeu detaje tronditëse për kujdestarinë e babait të saj. Këngëtarja tregoi se i është nënshtruar vlerësimeve të shumta psikike, ilaçeve dhe se është traumatizuar nga babai i saj, Jamie Spears, përmes kontrollit të tij. Ajo ka thënë në gjykatë se nuk ka folur publikisht në lidhje me këtë çështje, sepse mendonte se askush nuk do e besonte.
“Kam gënjyer dhe i kam thënë gjithë botës se jam mirë dhe jam e lumtur… nuk jam mirë. Nuk jam e lumtur, nuk mund të fle. Jam e nevrikosur. Është çmenduri. Dhe jam në depresion. Qaj çdo ditë”, u shpreh Britney.
Gjithashtu ajo zbuloi se nuk mund të mbetet shtatzënë për shkak të rregullave ligjore, që u vendosën në fuqi në 2008, sepse kujdestarët e saj nuk aprovojnë heqjen e kontrollit të lindjes.
“Së fundmi më thanë se nuk jam në gjendje të martohem ose të kem një fëmijë. Kam një IUD* (Pajisje që ndalon shtatzëninë – pajisje kontraceptive intrauterine) brenda vetes që të mos mbetem shtatzënë. Do doja ta hiqja në mënyrë që të kem një fëmijë tjetër, por kjo e quajtur ‘skuadër’ nuk më lejon të shkoj te mjeku sepse nuk duan që unë të kem fëmijë të tjerë. Me të vërtetë besoj se kjo kujdestari është abuzive”, tregoi Britney.
Këngëtarja zbuloi se ka pirë litium, një ilaç që pihet për çrregullimin bipolar, kundër dëshirës së saj dhe se kjo e ka bërë të ndihet e dehur dhe të paaftë për të biseduar.
Ndërkohë pas këtij rrëfimi këngëtarja ka marrë mbështetje nga shumë personazhe të njohur, mes tyre edhe nga ish-i i saj Justin Timberlake.