Sorry, no posts matched your criteria.

Jo më fantashkencë. Një kompani e gjenetikës do të krijojë fëmijë “sipas porosisë”!

Në “Silicon Valley” që është djepi i inovacionit teknologjik botëror është duke u punuar për një projekt që mund të hapë një erë të re dhe kontroverse të bioteknologjisë.

Një artikull i “Wall Street Journal” ka shkruar për “Preventive” – një startup nga San Francisco, i themeluar në muajin maj dhe i mbështetur nga disa figura të rëndësishme të sektorit teknologjik si Sam Altman, CEO i OpenAI dhe Brian Armstrong, CEO i Coinbase.

Objektivi i deklaruar i kompanisë është që të modifikojë gjenetikisht embrionet njerëzore, në mënyrë që të parandalojë sëmundjet e trashëguara. Për këtë, komuniteti shkencor është i ndarë në 2 grupe: ata që e mbështesin idenë, dhe studiuesit që i frikësohen idesë se ndryshimi eugjenik mund të ripërcaktojë konceptin e vet njerëzimit.

Pavarësisht se zyrtarisht ndryshimi gjenetik i embrioneve është i ndaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë, kërkimet shkencore rreth këtij procesi po përparojnë me hapa galopantë.

Sistemet e reja teknologjike bëjnë të mundur të analizosh embrionet në fazën e fekondimit të asistuar, duke identifikuar kështu ato me më shumë “potencial gjenetik” se të tjerët.

Sipas disa ekspertëve të intervistuar nga “Wall Street Journal”, kjo do të çonte në një lloj të përzgjedhjes gjenetike që shkon përtej parandalimit mjekësor, duke i hapur kështu rrugën një tregu që “personalizon” pasardhësit dhe seleksionon tiparet gjenetike të lidhura me aftësi specifike ose karakteristika fizike si gjatësia, struktura kockore apo ngjyra e syve.

Gjatë viteve të fundit janë shtuar shumë startup-et që kërkojnë të kombinojnë bioteknologjinë, inteligjencën artificiale dhe gjenetikën për t’i ofruar prindërve shërbime sa më të sofistikuara. Kjo ka nxitur dhe shumë investitorë të besojnë gjithnjë e më shumë në përmirësimin e njerëzimit falë progresit shkencor. Tashmë ideja për të përzgjedhur fëmijën tënd bazuar në parametrat gjenetikë nuk është më fantashkencë, pavarësisht se ekziston edhe rreziku që ky proces i konsideruar “i shenjtë” derimë sot, të shndërrohet në një treg që jo të gjithë do të kenë mundësi për akses.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com