“Jam kundër urrejtjes!” – Aktorja Sydney Sweeney flet për akuzat e racizmit pas reklamës së pantallonave xhins
Aktorja amerikane Sydney Sweeney ka vendosur të mos heshtë më në lidhje me akuzat e bëra ndaj saj për reklamën e pantallonave xhins American Eagle të disa muajve më parë.
Gjithçka nisi nga fraza kryesore e reklamës e cila thoshte: “Sydney Sweeney Has Great Jeans” (Sydney Sweeney ka xhinse të shkëlqyera). Duke iu referuar ngjashmërisë së tingëllimit të fjalëve “xhins” dhe “gjene” në gjuhën angleze, shumë njerëz iu kundërvunë kompanisë dhe vet aktores, se e kishin bërë qëllimisht këtë frazë për të treguar superioritet racor.
Por aktorja bionde, me lëkurë të bardhë e sy bojëqielli shprehet se në momentin e parë që nisën polemikat u surprizua shumë.
“Shumë njerëz më kanë atashuar me motive apo me përshkrime që nuk më përkasin mua dhe nuk janë aspak të vërteta!” – shprehet aktorja e re, e cila thotë se nuk i ka pëlqyer aspak narrativa me të cilën njërëzit kishin përshkruar reklamën.
Edhe marka American Eagle ka reaguar menjëherë ndaj akuzave duke thënë se fraza e përdorur ka të bëjë vetëm me pantallonat xhins dhe aspak me gjenet.
“Do të mbështesim gjithmonë ata njerëz që veshin me vetëbesim pantallonat tona. Xhinset e shkëlqyera duken mirë te çdokush që i vesh!” – shprehet kompania.
“Kushdo që më njeh mua, e di mirë se unë luftoj gjithnjë për bashkimin e njerëzve. Jam kundër urrjetjes dhe ndarjes! Kështu që shpresoj që viti i ri të sjellë më shumë fokus te gjërat që na bashkojnë se te ato që na ndajnë.” – ka shtuar aktorja 28-vjeçare, e cila më parë ka treguar se në fakt ajo vesh gjithmonë pantallona xhins kur del dhe nuk e kishte menduar kurrë që ajo reklamë do të lexohej ndryshe nga disa njerëz. Gjithësesi, pavarësisht polemikave të mëdha që vazhdojnë edhe sot, për kompaninë fushata rezultoi e suksesshme pasi shitjet ishin edhe më të mëdha se fushata e kaluar.