Izraeli pranohet në Eurovision 2026, shumë shtete braktisin kompeticionin në shenjë proteste
Pas aprovimit të prezencës së Izraelit në kompeticionin e vitit të ardhshëm të Eurovision, janë disa shtetet që kanë hequr dorë nga pjesëmarrja.
Transmetuesit Kombëtarë të Spanjës, Holandës, Irlandës dhe Sllovenisë kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në fetivalin e 2026-ës.
“Përfaqësimi i Izraelit nuk është më në përputhshmëri me përgjegjësitë që ne mbajmë si transmetues publik.” – thuhet në njoftimin holandez.
Një vendim ky nga këto shtete, si pasojë e dënimit që ato i bëjnë luftës që shteti izraelit po bën në Gaza, çka i ka marrë jetën mijëra personave, mes të cilëve pjesa më e madhe gra e fëmijë.
Organizatorët e “Eurovision Song Contest” u mblodhën të enjten për të diskutuar rregullat e reja që specifikojnë limitimin e qeverive dhe palëve të treta në influencimin e votimeve, pas vendit të 2 të Izraelit në edicionin e kaluar.
Pavarësisht se nga organizatorët u diskutua për një votim ku shumica absolute do të vendoste nëse Izraeli duhej të merrte pjesë apo jo në edicionin e ardhshëm, mesa duket ky proces nuk u mbajt, duke e lënë të lirë rrugën e izraelitëve drejt festivalit të vitit 2026.
Kujtojmë se Yuval Raphael, këngëtarja e Izraelit në kompeticionin që u zhvillua në muajin maj, mori shumicën e votave të publikut, ama përfundoi e dyta në renditje pasi u morën në konsideratë edhe votat e jurisë.
Përfshirja e Izraelit në konkurimin e vitit të ardhshëm ka shkaktuar shumë pakënaqësi ndër fansat apo edhe nga përfaqësueset e shteteve të tjera që do të marrin pjesë.
“Është e paarsyeshme, duke marrë parasysh humbjen e madhe të jetëve në Gaza! Gjithashtu jemi shumë të shqetësuar për shënjestrimin e gazetarëve në terren atje si dhe për mohimin e vazhdueshëm të aksesit të mediave ndërkombëtare në terren.” – shprehet transmetuesi publik irlandez.
Ndër të tjera, disa prej vendeve pjesëmarrëse marrin në konsideratë faktin se Rusia u përjashtua nga Eurovision pas nisjes së luftës në vitin 2022 në Ukrainë, gjë që nuk po bëhet për Izraelin.
Gjithësesi, mbetet edhe pak kohë në rast se ndonjë nga shtetet do të ndryshojë mendjen përsa i përket pjesëmarrjes. Lista e plotë e pjesëmarrësve në 70-vjetorin e Eurovision do të publikohet zyrtarisht para Krishtlindjes. Bëjmë me dije se “Eurovision Song Contest 2026” do të mbahet në Vjenë të Austrisë në muajin maj, pasi artisti austriak JJ me këngën “Wasted Love” rrëmbeu çmimin e parë në edicionin e kaluar.