Sorry, no posts matched your criteria.

I mbijetuari i vetëm i tragjedisë ajrore me 241 viktima: “Mrekulli, por jam shkatërruar nga brenda”

Viswashkumar Ramesh, i vetmi person që mbijetoi nga rrëzimi tragjik i avionit të Air India në qershor të këtij viti, ku humbën jetën 241 persona, ka folur për herë të parë pas ngjarjes, duke e përshkruar veten si “njeriun më me fat në botë”, por njëkohësisht edhe “të shkatërruar” nga dhimbja fizike dhe emocionale.

39-vjeçari arriti të dilte i gjallë nga rrënojat e avionit Boeing 787 që mori flakë pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, në Indi, me destinacion Londrën. Pamjet e publikuara menjëherë pas aksidentit e tregonin atë duke u larguar mes tymit e rrënojave, me plagë të lehta.

Në intervistën për “BBC News”, Ramesh tregoi se shpëtimi i tij ishte një “mrekulli”, por se humbja e vëllait të tij, Ajay, i cili ndodhej disa rreshta më larg në aeroplan, i ka ndryshuar përgjithmonë jetën.

“Jam i vetmi që mbijetova. Ende nuk mund ta besoj. Humbja e vëllait tim më ka shkatërruar.” – tha ai me emocion.

Pas kthimit në Leicester të Anglisë, Ramesh po përballet me çrregullim të stresit post-traumatik dhe ka shfaqur vështirësi të komunikojë edhe me familjen.

“Rri gjithë ditën në dhomë, pa folur me gruan apo djalin tim 4-vjeçar. Dua thjesht të jem vetëm,” – rrëfen Ramesh.

Kujtojmë se hetimet paraprake të Byrosë së Hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Indisë kanë zbuluar se ndërprerja e furnizimit me karburant të motorëve ndodhi vetëm pak sekonda pas ngritjes së avionit. Nga 241 personat në bord, 169 ishin shtetas indianë dhe 52 britanikë, ndërsa 19 të tjerë humbën jetën në tokë.

Kompania Air India deklaroi se kujdesi për Ramesh dhe familjet e viktimave mbetet prioritet absolut, ndërsa hetimet mbi shkaqet e sakta të tragjedisë vijojnë ende.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com