Gazetarja e njohur, Anila Dushi, humbi betejën me Covid-19
Anila Dushi, gazetarja nga Shkodra, nuk arriti dot të fitojë betejën e ashpër me Covid-19.
Pak ditë më parë, ajo kishte treguar përjetimet e saj me virusin e rrezikshëm nëpërmjet një postimi në “Facebook”.
“Kam besuar qe në fillim se Covid-19 është një luftë botërore. Kam dëgjuar mjaft nga ata që e kanë kaluar. Por qenka Tmerr”, kishte shkruar gazetarja para disa ditësh.
Dushi ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare në spitalin rajonal të Shkodrës. Prej vitesh ajo punonte gazetare në shtypin e shkruar dhe në televizione lokale e kombëtare.
Miq dhe kolegë të së ndjerës kanë shprehur pikëllimet e tyre nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.
“E vështirë me e nis ditën me një lajm të trishtueshëm! Anila Dushi, shoqe, mike, mësuese e gazetare, nuk asht ma mes nesh. Humbje për gazetarinë, publicistikën, miqtë e të njohurit e shumtë e mbi të gjitha për të afërmit.
Pushofsh në në paqe Anilë, do të të kujtojmë gjithmonë! Lamtumirë!”, është shprehur kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.
“Ky virus i rrezikshëm i mori jetën sot një gruaje të fortë dhe gazetares të shkëlqyer, shkodranes Anila Dushi. Edhe në momentet e fundit të jetës arrite të shkruash e të ndash me ne dhimbjen dhe luftën që po bëje me Covid….
Është shumë trishtim dhe mërzi kur humbet miq e të njohur, më të cilët ke bërë një rrugëtim jete, sado i vogël të ketë qenë ai.
Ideja e humbjes dhe mendimi që nuk do i takosh më, lë një vend bosh…… e sot secili nga ne ka shumë vende bosh në mendje e zemër…..
Anilë, të qoftë i lehtë dheu dhe do të kujtoj gjithmonë si miken që asnjëherë nuk kurseu fjalët e ambla për mua. ..
Ngushëllime familjarëve dhe miqve! ”, shkroi deputetja Senida Mesi.
“Na le Anila Dushi nuk na e bane mire… Jete e pate plote dallge qe i perballove me shume dhimbje. Ishe mbeshtetje per mua dhe Elionen… Na ke dasht e na ke afru shume… Pushofsh me Engjet e qiellit ne dashnin e pa fund… Lamtumire Dushi”, ka shkruar gazetari i njohur, Simon Shkreli.