(foto) Nga Beyonce te Jay-Z e Naomi Campbell, kush ishin personazhet VIP në garën e Formula 1?
Fundjavën që sapo lamë pas, kampionati i garave të makinave Formula 1 bëri ndalesën e radhës në Nevada, për “Las Vegas Grand Prix”, duke dhuruar gjithë spektaklin që bota e garave mund të dhurojë.
Mes xhirove të vështira, skualifikimeve dramatike dhe emocioneve të garës, ishte kampioni Max Verstappen ai që arriti të dalë triumfues, duke marrë drejtimin e garës ndaj Lando Norris që në nisje, për të festuar maskimumin e pikëve në fund.
Ama ajo çka tërhoqi vëmendjen ndryshe nga garat e tjera, ishte prezenca e shumë personazheve të famshëm në ambientet e rezervuara për VIP-at, me disa prej tyre që u panë në shoqërinë e pilotëve, madje edhe duke bërë xhiro me ta.
Prezenca e Beyonce i la të gjithë me gojë hapur, jo veç për madhështinë e këtij personazhi, por edhe prej veshjes së saj të lëkurës, e përshtatur perfekt për ambientin e garave dhe me një dekolte të hapur. Ajo së bashku me bashkëshortin e saj Jay-Z u panë afër skuderisë Ferrari dhe pilotit Lewis Hamilton, i cili u bëri atyre një xhiro me makinë.
Ndër të ftuarit VIP të “Las Vegas Grand Prix” ishin edhe ikona e modelingut Naomi Campbell, që u fotografua në shoqërinë e biznesmenit dhe drejtuesit të skuderive të garave Flavio Briatore (ish partneri), aktorja e filmit të sapopublikuar “Wicked: For Good”, Cynthia Erivo që bëri një xhiro me makinën e pilotit Carlos Sainz, aktori i komedive Terry Crews, reperi Travis Scott etj.
Më poshtë mund të shihni disa foto të personazheve të famshëm që ishin prezentë në “Las Vegas Grand Prix”:







