Festivali i 64-t i Këngës në RTSH tashmë e ka një prezantuese… Arilena Ara!
Pavarësisht se në javët e fundit kanë qenë disa emrat e qarkulluar në media si të mundshëm për të drejtuar edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, tashmë nuk ka më dyshime… të paktën për njërin prej tyre.
Këngëtarja Arilena Ara është e përzgjedhura e parë për të moderuar edicionin e këtij viti, i cili do të ndahet në 4 net, nga data 17 deri në 20 dhjetor.
Kujtojmë se Arilena është edhe fituese e edicionit të 58-të të këtij festivali me këngën “Shaj”, kështu që ky është një rikthim i saj, por në një tjetër formë. Mund të themi që ajo nuk është debutuese as në rolin e moderimit, duke qenë se vjen nga një eksperiencë televizive në programin “Piranjat”, pavarësisht se skena e Festivalit të Këngës ka tjetër përgjegjësi e madhështi.
Këtë lajm e ka konfirmuar edhe vet Arilena, e cila e ka postuar atë në një “story” në profilin e saj më Instagram.
Me shumë mundësi, sipas burimeve krah këngëtares do të jetë aktori dhe moderatori i njohur Salsano Rrapi, prej të cilit ende nuk kemi një konfirmim zyrtar.
Nëse rezulton kështu, kjo dyshe aspak “e zakonshme” premton shumë për ritëm, freski e doza humori në Festivalin ku do të konkurrojnë 28 artistë për çmimin e madh.
Ndër personazhet e tjerë që u përmendën se mund të drejtonin festivalin e fundvitit ishin edhe moderatorja me eksperiencë Fjodora Fjora, apo edhe Flori Gjini, të cilët të dy kanë emisionet e tyre përkatëse në Radio Televizionin Shqiptar.
Gjithësesi duket se vendimet finale janë marrë, për Festivalin që nis pas 12 ditëve.

