E quajtën “budallaqe” gjatë provave, Miss Meksika proteston ndaj Miss Universe
Përfaqësuesit e Meksikës janë ngritur në këmbë kundër organizatorëve të Miss Universe, pas debatit të fundin të zhvilluar gjatë një dite provash.
Fátima Bosch, vazja që përfaqëson Meksikën në kompeticionin e madh të bukurisë dhe Miss-et e vendeve të tjera ishin prezente në sallën ku do të bëheshin provat për një nga paradat, ndërkohë që drejtori ekzekutiv i eventit Nawat Itsaragrisil po jepte udhëzimet e tij.
Për të promovuar vendin organizues të Miss Universe, Tailandën, vajzave konkurrente u është kërkuar që setet fotografike që bëjnë gjatë organizimit t’i shpërndajnë edhe në profilet e tyre personale në rrjete sociale. Mesa duket për këtë çështje ka lindur edhe konflikti, pasi Itsaragrisil papritur ka akuzuar meksikanen, duke i thënë që ka raportime se në fakt nuk është duke e zbatuar aspak këtë porosi, e këshilluar keq nga delegacioni meksikan.
Kjo akuzë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Bosch, e cila ka dashur të hedhë poshtë akuzat. Në këtë moment ka ardhur reagimi i Nawat Itsaragrisil i cili e ka quajtur meksikanen “budallaqe”, pa ndonje arsye madhore.
Menjëherë pas kësaj fjale, Fátima Bosch e disa prej konkurrentëve të tjera pas saj, janë çuar në këmbë për t’u larguar nga salla në shenjë proteste.
Miss-i i Meksikës ka folur pas ngajrjes, duke thënë që ajo e dashuron Tailandën dhe i respekton njerëzit e saj, por nga ana tjetër ajo u shpreh se Itsaragrisil u treguar shumë i pasjellshëm dhe pa respekt. Ajo tha se nuk u respektua si grua fillimisht, në një kompeticion ku në fakt duhet të fuqizohet zëri i gruas.
Pas ngajrjes, Itsaragrisil ka kërkuar ndjesë për atë që ndodhi, që në fakt u pa nga të gjithë pasi ishte ‘live’ në mediat sociale.
Një deklaratë ka bërë edhe presidenti i Miss Universe Raul Rocha Cantu, duke kritikuar kështu Itsaragrisil, e duke thënë se solidarizohet me të gjitha gratë pjesëmarrëse në konkursin e bukurisë. Bëjmë me dije se Miss Universe 2025 do të zhvillohet në Tailandë më 21 nëntor.
