“Donald Trump është gënjeshtar, vëllai im u vra!” – E-mailet e Jeffrey Epstein sjellin kaos në SHBA
Mark Epstein, vëllai i Jeffrey Epstein ka hedhur sërish poshtë versionin zyrtar të autoriteteve amerikane për vdekjen e këtij të fundit, i cili u gjet i pajetë në qelinë e burgut ndërsa ishte në pritje të gjyqit.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, Mark ka deklaruar se dokumentet e reja të publikuara së fundmi mund të ndihmojnë në “sqarimin e rrethanave të vrasjes” së të vëllait, duke vënë në dyshim përfundimet e Departamentit të Drejtësisë në SHBA.
“Vëllai im nuk kishte asnjë qëllim t’i jepte fund jetës së tij.” – ka theksuar Mark Epstein.
Duke komentuar edhe përmbajtjen e e-maileve të reja që përmendin lidhjet e financierit famëkeq me presidentin amerikan Donald Trump, ai thotë se Trump është gënjeshtar.
“Nuk më befasojnë aspak. Janë vetëm konfirmim që Trump gënjen kur thotë se nuk e njihte dhe nuk e frekuentonte Jeffrey-n.” – shton ai.
Mark Epstein ka sqaruar se nuk ka pasur rol në kërkimin apo publikimin e këtyre materialeve të dala së fundmi. Ai rrëfen se nuk është kjo pjesa që i intereson atij, por vetëm të zbardhë një herë e mirë mënyrën dhe arsyet se përse vdiq vëllai i tij Jeffrey Epstein.
“Shpresoj dhe besoj që këto informacione të reja mund të jenë të dobishme për të sqaruar rrethanat e vrasjes së tij.” – tha Mark.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI kanë konfirmuar më herët se bëhet fjalë për vetëvrasje, pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të burgut. Por Mark Epstein nuk e ka pranuar kurrë këtë version.
“Jo, nuk e kam besuar asnjëherë. Vëllai im donte të mbrohej për t’u shpallur i pafajshëm. Unë jam i bindur se ai është vrarë.” – shprehet i bindur.
Ai shton se Jeffrey i kishte treguar se zotëronte informacione kompromentuese për figura të njohura, përfshirë edhe Donald Trump, në kohën kur ky i fundit nuk ishte President i Shteteve të Bashkuara. Kur u pyet nëse besonte ende se Jeffrey Epstein mund të jetë vrarë për ato që dinte, Mark u përgjigj pa hezitim se ishte i bindur për këtë.
Në raport me e-mailet e dosjes së Jeffrey Epstein që nuk është zbardhur e gjitha, dje Partia Demokratike në SHBA ka publikuar disa mesazhe që supozohet janë të ish-financierit, ku shkruhet se Donald Trump ka kaluar orë të tëra me një nga vajzat, viktimë e trafikut seksual, si dhe ka qenë në dijeni për vajzat që trafikoheshin nga Epstein. Këto akuza janë mohuar kategorikisht nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, e cila i ka cilësuar ato si narrativë false për të prishur imazhin e Trump.