Sorry, no posts matched your criteria.

Arjana Sina: Për misionin fisnik…

Pas hijes së përparëses së bardhë, fshihet historia e një gruaje sa të ndjeshme aq edhe e fortë, sa luftarake, aq edhe e brishtë. Kjo është Arjana që misionin e saj për shëndetin e njerëzve e ka lidhur ngushtë me jetën. Një grua vizionare që ka ditur të shndërrohet në lider, në një sektor kaq të vështirë sa është shëndetësia. Në këtë rrëfim për “Global Woman” ajo zbulon sfidat që ka hasur drejt kësaj rruge që ka zgjedhur. E pamundur mos të flisnim edhe për “International Turkish Hospital”, si një destinacion i shëndetit të mirë, e ku ka më mirë ta njohim këtë destinacion, se nga vetë drejtuesja e këtij institucioni. Arjana Sina është gruaja që dita-ditës rritet profesionalisht, gjithnjë drejt mision të saj human…

Duket se jetojmë në kohët ku të kesh titullin Dr diferencohesh nga të tjetër. Si e sheh Arjana, titull apo mision?

Po të pyesësh studentët e mjekësisë se përse janë në këtë fakultet do marrësh disa përgjigje që të them të drejtën do dukeshin në pamje të parë si klishe si psh: Sepse dua të zbuloj kurën e kancerit, dua të shpëtoj jetën e njerëzve, sepse më pëlqen të ndihmoj njërëzit e varfër etj etj, por në fakt është shumë e vërtet, ato vërtet ashtu mendojnë, që do të thotë e shohin si mision, sepse vetëm për një mision një i ri merr përsipër një sakrificë kaq të madhe dhe shumë të gjatë në kohë sic janë studimet për mjekësi. Por rrugës gjithçka ndryshon, bëhet me e vështirë dhe nuk janë të rralla rastet që për arsye të ndryshme qoftë nevoja për mbijetesë apo ego e tepruar dhe devijon nga ai misioni për të cilën more këtë rrugë. As për mua nuk ka qenë e lehtë, por me shumë sakrifica personale kam mundur të kem të njëjtin pasion për këtë mision sublim, sepse në fakt është privilegj shumë i madh që dikush të beson më të shtrenjtin kapital siç është shëndeti dhe jeta!

Cili ka qenë ai moment që vendosët ti hynit rrugës së mjekësisë?

Në moshën 15 vjeç mu desh të nënshtrohesha nderhyrjes kirurgjikale për apendesitis acuta ku dhe dyzimi im midis studimeve për juridik apo mjekësi u shua! Mjekët më bën të dashurohesha me këtë profesion.

Sa e ka ndryshuar Arjanën si karakter profesioni i saj?

Shumë. Ka raste kur nuk e njoh më veten për nga ashpërsia dhe ftohtësia, që më duhet të përdor për të zgjidhur disa situata, por e gjitha kjo vetëm në sipërfaqe, një mënyrë për të mbrojtur veten dhe psiqiken time në këtë realitet të egër. Por besomëni kam një ndjeshmëri shumë të madhe që shpesh më bën të vuaj shumë.

Si do ta përshkruanit sot karrierën tuaj, në çfarë pike është?

Karriera ime është e gjithanshme tashmë. Kam studiuar mjekësi për 6 vite dhe 4 vite specializim në imazheri. Unë jam mjeke imazheriste prej 14 vitesh dhe po prej 14 vitesh pedagoge e brendshme në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, kam marrë garden Phd pas 5 vitesh programi Doktoraturë në studimin e Kancerit e Pulmonit. Për 4 vite kam qenë dhe shefe shërbimit të Imazherisë në spitalin universitar Shefqet Ndroqi. Të them të drejtën unë nuk mundohem më për karrierën time. Tashmë çdo gjë rrjedh vetë.

Ç’mund të na thoni për sipërmarrjet tuaja në sektorin shëndetësor privat?

Eksperienca ime si investitore në sektorin shëndetësor daton që në 2010 me një klinikë mesatare për nga dimensionet, por që ofronte shumë shërbime shëndetësore, ajo ishte le të themi dashuria ime parë nga ku mësova shumë po shumë, si të mirat ashtu dhe të këqijat e biznesit. Në 2015 u ftova për të bërë drejtoreshën mjekësore në një tjetër projekt mjekësor, ku shumë shpejt u bëra dhe investitore, duke e zhvilluar bashkë me partnerët e mi në një nivel shumë të lartë këtë biznes, që sot mban emrin International Turkish Hospital. Dhe prej 2 vitesh kam themeluar një qendër tjetër mjekësore me një mikeshën time, që ofron mjekësine e punës, mjekësine sportive dhe rehabilitimin. Ky përveç se biznes ka dhe qëllimin e edukimit dhe sensibilizimit të shoqërisë në këto 2 drejtime duke shpalosur pak më shumë qasjen akademike timen. Për mua mbetet një emocion shumë i madh të investoj në ato ide në të cilat unë besoj që kanë impakt në jetët e njerëzve, e për të cilat njerëzit kanë nevojë.

Flasim pak për ‘International Turkish Hospital’, cili është roli juaj në këtë spital?

Sikurse e përmenda dhe më lartë, International Turkish Hospital është një nga projektet më të rëndësishëm të jetës sime në fushën e mjekësisë. Aktualisht jam co-founder, drejtoreshë mjekësore dhe gjithashtu mjeke imazheriste. Është një projekt i ngritur më shumë dashuri, shumë sakrifica ku secili nga partnerët zë një rol të pazëvendësueshëm dhe komplementar me njëri-tjetrin. Ne jemi aty që nga scratch i projektit dhe shpresoj shumë të jemi gjithmonë bashkë. “International Turkish Hospital” që në nisje ka qenë një filozofi e ndryshme. Matjet e suksesit të spitalit është se sa njerëzve ju a zgjidhim problemet shëndetësore, sa njerëz dalin të kënaqur nga ne, sepse ato nuk konsiderohen numra por njerëz që të besojnë shëndetin e ku gjithmonë krijohet një marrëdhënie besimi. Çdo ekzaminim i bërë është në funksion të vënies se diagnozës dhe jo në funksion të fryrjes se faturës financiare.

Duket se shpesh shqiptarët ‘tremben’ nga spitalët private, cila është filozifia juaj?

Me të drejtë shqiptarët i tremben spitaleve private pasi skema e sigurimeve shëndetësore nuk funksionon në privat duke bërë që shqiptarëve ti rëndoj në xhep direkt, prandaj kemi gjithmonë prioritet raportin çmim cilësi të shërbimeve tona. Lokacioni është gjithashtu shumë i rëndësishëm pasi gjendet në qendër të Tiranës, në zonën e Ish Bllokut, i vetmi spital brenda qyetit.

Mund të na flisni më shumë për Wellness Albania?

Wellness Albania është klinikë mjekësore ku prioritet është mirëqenia në çdo aspekt. në punë, në familje dhe shoqeri.  Mjekësia e punës është shërbimi që studion pozicionin e punës, rreziqet, check up sipas rreziqeve, parandalimin e sëmundjeve, kartelizimin e punonjësve, shërbim ky që bazohet në përmbushjen e detyrimeve ligjore që ka çdo kompnani sipas ligjit të sigurise dhe shëndetit në punë. Mjeksia sportive ofron check up periodik vjetor të sportistëve, kartelizim i tyre sipas standarteve europiane dhe rehabilitim.

Si janë raportet tuaja si drejtuese me stafin, por edhe me pacientët?

Raportet e mia me stafin janë ato raporte që unë kam ëndërruar ti kishin shefat e mi me mua dikur. Përpiqem që të jem mentore për to, duke nxitur ndërgjegjësimin e tyre dhe jo frikën, marrëdhënie kjo që fillon herët që në fakultet pasi shumica tyre janë dhe student të mi. Përpiqem që çdo gabim i tyre të kthehet në një eksperiencë të mësuari. I bëj pjesë së zgjidhjes së problemeve pasi kështu rrisin dhe përgjegjësine e tyre! Dhe kurrë nuk bëhem pengesë nëse duan të largohen për një eksperiencë më të mirë. Largohen gjithmonë me një referencë të mirë të firmosur nga unë. Pacientët janë të shenjtë për mua. Telefoni im nuk mbyllet 24/7, gjithmonë në dispozicion të tyre me çfare kam mundësi, edhe pa i njohur fare ndonjëherë apo dhe takuar. Unë çdo veprim që bëj si mjeke, e bëj duke e vendosur veten nën petkun e pacientit, është e vetmja mënyrë që nuk të lë të bësh gabime e të detyron të japësh maksimumin tënd!

Si nis një ditë e juaja në punë dhe si mbyllet?

Mendoj që dita duhet të ishte dhe pak më gjatë, pasi nuk i mbyll dot gjerat që planifikoj çdo mëngjes. Dita nis me fakultetin 1-2 orë në mëngjes, varet nga ditët, pastaj futem në spital, ku realisht lista e punëve është shumë e ngjeshur dhe e shumëllojshme. Një drekë e shkurtër kryesisht ‘pune’, për të vazhduar më pas përseri në spital ku largohem rreth ores 18:00, rrugës për në shtëpi luftoj me veten për të gjetur fuqinë për një orë joga apo gym dhe me vrap në shtëpi me mall për fëmijet e mi. Fundjava pastaj është e gjitha për familjen, mundësisht jashtë zhurmës së Tiranës, vetëm për to!

Arjana si profesioniste, sa e realizuar ndjeheni në karrierën tuaj?

Në karrierën time kanë ngelur Shumë pak gjera për të bërë. Aspirimi i rradhës është titulli Asc. Profesor, për të cilin nuk kam ndonjë nxitim. Ajo që unë dua dhe bëj më shumë tani është ti ndihmojë brezat që vijnë të bëjnë karrierën dhe experiencën e tyre, të lëshoj hapësira për të cilat të rinjtë kanë nevojë pasi dhe unë nuk i bëj më me të njejtin pasion. Ndjehem realisht shumë e realizuar.

Duket se profesioni juaj është edhe ndër më të pëlqyerit për në Europë, e keni menduar ndonjëherë largimin?

Sigurisht që Europa është shumë joshëse për standartin e jetesës që ofron, por më besoni jeta e mjekut është e vështirë kudo. Në këtë pikë që jam e vetmja mënyrë që do mendoja të lëvizja nga Shqipëria do ishte si investitore ose ndoshta lektore në ndonjë universitet!

Ke një mesazh për të gjithë kolegët që ëndërrojnë Europën?

Përsa i përket kolegëve të mi, dhe specifikisht atyre që punojnë në spitale publike me pagesa qesharake ku ju garantoj që nuk dalin as për pjesmarrjet në kongreset që ne ëndërrojmë të jemi pjesë pasi aty përditësohemi dhe rritemi profesionalisht. Unë nuk jam askushi për ti bërë atyre moral në lidhje largimin nga Shqipëria. Jeta ka shumë kërkesa dhe tja dalësh në shqipëri me rrogën që ofrohet për to është sfidë. Unë realisht uroj më të mirën për të gjithë ato ku do që të jenë dhe shpresoj që një ditë shqipëria të bëhet një vend ku ato të kenë arsye për tu kthyer dhe të sjellin me vete Pse jo dhe eksperiencën e tyre europiane.

Arjana si grua, cili është misioni juaj?

Të them të drejtën unë misionet nuk më pëlqen ti ndaj  në gjini, përveç misionit si nënë.Si nënë misioni im është të rris dhe të edukoj dy fëmijët e mij në mënyrën më të shëndetshme të mundshme. Investoj shumë që ato të jenë individë që të kenë Çfarë ti japin shoqerisë, të dinë të jenë të lumtur me gjërat më të thjeshta të jetës, përpiqem që sfidat e jetës tjua jap unë e para në mënyrë që ti ndihmoj edhe ti zgjidhin ato, për të qenë sa  më të pavarur, të lumtur dhe të vlefshëm kur të rriten. Ndihmë e jashtëzakonshme për këtë proçes është bashkëshorti im.

Duket se pas ‘përparëses së bardhë’ keni edhe angazhimet si nënë. Si është ky rol për ju?

Pa diskutim që pas përparëses së bardhë ka një jetë po aq intensive. Unë jam mami krenare e Aurorës që mbush për pak 17 vjeçe . Një adoleshente më shumë talente dhe shumë ëndrra, që çdo ditë është në kërkim të vetes dhe që më mbush shpirtin, jemi Inspirim për njera-tjetrën dhe shoqe të ngushta gjithashtu. Jam dhe mami i Dart dashurisë, që sapo mbushi 3 vjeç dhe na ka mbushur shtëpinë plot alegri dhe që më bën të harroj çdo problem sapo kthehem në shtëpi. Dhe pas gjithë kësaj pune dhe suksesi fshihet një person, që është pikërisht bashkëshorti im, Elvis Sina, ish futbollist e tashmë trajner futbolli. Profesionet tona tërësisht të ndryshme nuk kanë qenë një pengesë, për të kuptuar njëri-tjetrin. Ne jemi rritur së bashku me të njëjtin hap duke e suportuar shumë njëri-tjetrin. Sinqerisht nuk di a do isha e njëjta pa mbështetjen e tij, gjithçka e ka bërë për të më parë të lumtur, e nga lumturia vijnë gjithmonë gjëra të bukura si gjithçka kam përshkruar më sipër.

Cila është këshilla më e mirë që keni marrë?

Unë çdo këshillë sidomos kur më jepet me dashuri e vlerësoj shumë. E duke u rrethuar me shumë dashuri gjatë gjithë jetës sime pa diskutim kam marrë shumë të tilla. Por njërën nuk e harroj kurrë , zysha ime e letërsisë, të cilës i atriboj pa diskutim dashurinë time për librin, më thoshte sa herë të gjendesh para një zgjedhje të vështirë mendo , po sikur të shihesh me veten sy msy, a kishe me u puth, a kishe me u pshty. Dhe pse jo gjithmonë lehtësisht, zgjedh pikërisht atë opsinin që më bën ta puth veten e jo ta pështyj. Ndërgjegja ime është shumë e ashpër me mua kështu që nuk kam shumë mundësi zgjedhjeje.

Jemi në prag të fundvitit, cili është bilanci i Arjanës për 2021?

Atëherë dua pikësëpari të jem falenderuese për gjithë të mirat që jeta më ka sjell. Ndjehem vërtet me fat, që më rrethon një dashuri e madhe dhe shumë oportunitete që tani e tutje nuk mendoj ti kem vetëm për vete, por për ti përdorur për tu dhënë një mundësi të gjithë njerëzve me vlera të larta njerëzore që më rrethojnë, për të investuar sa më shumë në mirëqenien e tyre pasi kjo botë është shumë më bukur me miq që ndihen po aq mirë sa ty. E dua ta mbyll me falenderim e mirënjohje për të gjithë ato që kontribuan me dashje apo pa dashje që unë të arrija këtu ku jam sot, ku eksluzivisht mirënjohëse pa fund prindërve të mi që më mësuan se çfarë është dashuria pa kushte, dhe që të japësh jo domosdoshmërisht duhet të marrësh!

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com