A do ta godasë Tokën në dhjetor, kometa që “rrjedh ujë”?
Kometa 3I/ATLAS shumë shpejt do të “zhduket” pas diellit tonë, parë nga këndvështrimi ynë tokësor, por para se ta bëjë këtë do të bëjë një kalim afër planetit Mars dhe… Tokës.
Por cilat janë mundësitë që ky objekt që vjen nga hapësira e largët të godasë Marsin, ose në shansin më të keq, Tokën?
Kujtojmë se 3I/ATLAS u zbulua më 1 korrik të këtij viti nga astronomët duke përdorur teleskopin vëzhgues ATLAS në Kili. Ai është një vizitor nga përtej sistemit tonë diellor, i cili dallon nga çdo kometë që lëviz brenda sistemit tonë apo normalisht rreth diellit. Rruga që ky objekt po ndjek tani është “kalimtare” dhe shumë shpejt do të zhduket në thellësinë e hapësirës. Por ajo çka e bën atë të veçantë është se mund të bëhet fjalë për kometën më të vjetër që kemi lokalizuar ndonjëherë. Gjithashtu është bërë e mundur që të zbulohet dioksid karboni dhe ujë në formë akulli në përbërje të saj. Gjurmët e ujit në këtë kometë që e lë atë pas si një objekt në flakë që po ecën me shpëjtësi të madhe, në fakt u tregojnë shkencëtarëve se uji nuk është “ekskluzivitet” i sistemit tonë diellor, por gjendet edhe larg nesh.
Por sa është rreziku që duke kaluar mes Tokës, Marsit dhe diellit, kometa të godasë një nga këto planete?
Do të jetë data 19 dhjetor 2025, ajo e ditës më afër planetit tonë, por afër do të quhet vetëm në një shkallë kozmike, sepse distanca e vërtetë me ne është rreth 270 milionë kilometra, që në fakt nuk përbën një rrezik real, aq më tepër kur shkencëtarët janë në gjendje të parashikojnë orbitën e kometës me saktësi për një periudhë të gjatë. I njëjti “fat” është edhe për planetin Mars dhe diellin, të cilave 3I/ATLAS do t’i kalojë pranë, për të vazhduar rrugën e saj jashtë sistemit tonë diellor. Pra, edhe këtë herë duhet të qëndrojmë të qetë. As kometa më e vjetër e zbuluar ndonjëherë nuk do ta godasë Tokën, kështu që na mbetet vetëm ta vëzhgojmë dhe të shijojmë imazhet e kapura.


