Sorry, no posts matched your criteria.

Qentë-robotë me fytyrën e Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, arti që na bën të reflektojmë për varësinë nga teknologjia

Edicioni i këtij viti i “Art Basel” në Miami Beach Convention Center është hapur me një instalacion që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe të mediave. Artisti amerikan Beeple (Mike Winkelmann), një prej figurave më të rëndësishme të artit dixhital, ka prezantuar projektin e tij “Regular Animals”, që eksploron marrëdhënien e ndërlikuar mes njeriut, algoritmeve dhe pushtetit mediatik.

Ajo që e bën të veçantë projektin e Beeple këtë vit është se instalacioni përbëhet nga qen robotikë të pajisur me koka në dukje reale të figurave të njohura të teknologjisë si Elon Musk, Mark Zuckerberg, Jeff Bezos etj.

Robotët u vendosën në një arenë të mbyllur, ndërkohë që kamerat e instaluara në sytë e tyre fotografonin vizitorët. Në intervale të caktuara ata ndalen, përkulen dhe aktivizojnë një funksion të quajtur “POOP Mode”: një printim fotografik që del nga trupi i robotit, një metaforë ironike dhe e drejtpërdrejtë kjo mbi mënyrën si platformat sociale mbledhin, përpunojnë dhe riformulojnë të dhënat tona.

“Regular Animals” është shprehja në formë artistike dhe ironike se si është ndikimi i koorporatave teknologjike në realitetin tonë të përditshëm. Përveç figurave të miliarderëve të teknologjisë, Beeple ka krijuar edhe robotë me tipare të frymëzuara nga Picasso apo Andy Warhol. Interesant është fakti se çdo fotografi e realizuar nga robotët transformohet automatikisht në një NFT, ndërsa stili i saj ndryshon sipas personazhit që roboti “përfaqëson”: ngjyrat e forta dhe estetika pop evokojnë Warhol-in, fragmentimet kubiste kujtojnë Picasso-n, ndërsa imazhet e lidhura me Musk shfaqen në ton minimalist bardhezi, kurse ato të Marc Zuckerberg reflektojnë ngjyrat e ndezura të metaversit.

Përmes një fluksi të pandërprerë imazhesh të gjeneruara nga makineritë, Beeple vë në pah se si perceptimi i realitetit nga ne ndikohet prej algoritmeve dhe filtrave teknologjike që shpesh veprojnë jashtë kontrollit tonë. “Regular Animals” thekson gjithashtu delegimin e proceseve njerëzore si vëzhgimi, përzgjedhja apo krijimi, te sistemet automatizuese. Me këtë vepër, Beeple na bën të reflektojmë mbi varësinë nga teknologjia dhe ndikimin e gjigandëve të “Silicon Valley” në formësimin e imagjinatës kolektive.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com