Njihuni me Legendary Glamma, gjyshen afrikane që “aksidentalisht” u bë ikonë e modës
Dashuria e madhe për modën dhe fuqia e internetit i kanë ndryshuar jetën Margret Chola-s, një gruaje 80-vjeçare nga Zambia e Afrikës, e cila njihet si “Legendary Glamma”.
Gjithçka nisi para 2 vitesh, kur mbesa e saj stiliste Diana Kauba udhëtoi nga New Yorku në vendlindje, e gjatë qëndrimit atje nisi të vishte gjyshen me veshje moderne dhe aksesorë të veçantë. Kombinimi i talentit të Dianës me pasionin e Margret dhe me fuqinë e internetit bënë që fotot e postuara online të bëhen virale shumë shpejt.
Ishte ky moment i vitit 2023 që e shndërroi të moshuarën nga thjesht Margret në “Legendary Glamma”, e cila bëri qindra mijëra ndjekës anembanë botës të dashurohen me të.
Veshjet e saj ekstravagante, plot ngjyra, bizhuteritë e guximshme si dhe qëndrimi i saj prej një modeleje me eksperiencë, bënë që Margret të krahasohet shpesh me ikonën e modës Iris Apfel.
“Kur të mos jem më, dua që këto kujtime t’i ruash me fanatizëm.” – i ka thënë 80-vjeçarja mbesës së saj. Ajo në fakt nuk e kujton tamam moshën e saj apo datën e lindjes, ama di të thotë se nuk ka veshur kurrë pantallona xhins apo paruke. Ajo pi çaj në një filxhan metalik, tymos me pipë dhe lëviz me ndihmën e një shkopi prej druri.
Fotografitë e saj po frymëzojnë njerëz të moshave të ndryshme anembanë botës që përveçse të ndjekin pasionin e tyre gjithmonë, t’u besojnë edhe stilit që preferojnë e të mos i tremben plakjes. Nëpërmjet pozave të marra gjithmonë me një sfond natyror afër vendit ku banon, Margret Chola tregon se veshja mund të kthehet në një mjet të fuqishëm identiteti dhe zbulimi të vetes.




