Dje përgënjeshtruan sherrin, sot Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj nuk ishin pjesë e “Wake Up”
Thashethemet për një debat me tone të ashpra, që më pas degradoi edhe në përplasje fizike mes moderatoreve Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj të emisionit “Wake Up”, kanë pushtuar median e shkruar në ditët e fundit.
Ndonëse mëngjesin e djeshëm, autori i programit Blendi Salaj, në prani të dy vajzave u përpoq të shuante çdo thashethem, njëkohësisht duke kritikuar portalet se kishin përhapur lajme të pavërteta, emisioni i sotëm e përgënjeshtroi atë.
Sot në “Wake Up”, pas shumë kohësh nuk ishin prezente as Enxhi Nasufi, e as Neada Muçaj, por vetëm Blendi Salaj. Ai e hapi programin duke thënë se do të kishte një ridimensionim, me bashkëprezantues të ndryshëm çdo ditë, si për t’i dhënë një frymë të re këtij emisioni për dëgjuesit e radios, por edhe për shikuesit e Top Channel. Me të në studio u shfaq Heidi Baçi, ish-banorja e Big Brother, e cila e nisi duke folur për librin e saj me poezi.
Blendi nuk dha ndonjë shpjegim zyrtar për mungesën e 2 ish-kolegeve të tij, ashtu si edhe ato nuk kanë bërë një deklaratë ende pas mungesës në program. Enxhi ka publikuar një foto në profilin e saj në Instagram, ku ka dalë e përqafuar me mamanë e saj dhe me qenushin. Vëmendjen e ndjekësve e ka tërhequr pozicionimi i dorës së këngëtares, qe duket sikur ka nxjerrë gishtin e mesit, por nuk ka asnjë siguri për këtë gjë. A ka qenë kjo foto një “diss” për atë që ndodhi? Nuk mund ta themi, por ndërkohë presim ditët në vazhdim…
