Rita Ora në ndihmë të refugjatëve, kujton kohën e largimit nga Kosova
Refugjatët dhe njerëzit që përjetojnë mungesë strehimi e pasiguri ushqimore për një kohë të gjatë janë grupet më të disavantazhuara të Londrës.
Për t’i mbështetur ata, do të kontribuojë edhe këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora, e cila është bërë pjesë e nismës “Winter Appeal”, që në bashkëpunim me Comic Relief, do të mund të vënë në dispozicion rreth 500,000 paund për kauzën sociale.
Rita Ora i përket pikërisht asaj kategorie njerëzish, që në moshë të vogël u largua nga Kosova për të gjetur siguri në Mbretërinë e Bashkuar; një eksperiencë kjo sa e vështirë për prindërit e saj, aq sa edhe një mësim i mirë për këngëtaren që nuk mund ta harrojë asnjëherë.
“Të rritesha si një fëmijë refugjat ka ndryshuar gjithçka në atë që jam sot. Kur prindërit e mi e lanë Kosovën për t’i shpëtuar persekutimit që i bëhej shqiptarëve, ata braktisën gjithçka për sigurinë e tyre dhe për një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Atyre iu desh të ndërtonin gjithçka nga zero. Mamaja ime ishte një psikiatre në Kosovë, por kur erdhi këtu iu desh të mësonte anglisht dhe të përshtatej. Ndërkohë babait tim iu desh të punonte shumë gjatë natës që ne të kishim një të ardhme. Kurajo e tyre ndërtoi bazat e gjithë jetës sime, ndërsa muzika u bë streha ime.” – rrëfehet artistja shumë e dashur në të gjithë botën, që nuk harron asnjëherë nga ka ardhur dhe origjinën e saj.
Sot Rita është e njohur gjithandej, por ka qenë mënyra se si ajo trajtohej kur shkoi për herë të parë në Britani, çka e mban gjithnjë pjesë të vetes.
“Janë personat që na mirëpritën dhe na bënë të ndjehemi të pranuar dhe pjesë të jetës së tyre, ata që unë i mbaj gjithmonë në zemrën time.” – shton Ora, si për të treguar se nuk mund të harrojë mirësjelljen e njerëzve atje ku ndërtoi jetën dhe karrierën e suksesshme.
Pikërisht në vazhdimësi të asaj çka ka përjetuar vet, artistja shqiptare kërkon tashmë të japë kontributin e saj në ndihmë të refugjatëve që për arsye të ndryshme mbërrijnë në Angli dhe kanë nevojë për mbështetje për një të ardhme të sigurt.