Arritje historike e Kombëtares për në Botëror, por cilët mund të jenë rivalët në “play-off”?
Fitorja me rezultatin 0-1 kundër kombëtares së Andorrës mbrëmjen e djeshme falë golit të Kristjan Asllanit, i siguroi Shqipërisë një arritje historike, kualifikimin për në fazën “play-off” të Kupës së Botës që do të luhet në vitin 2026.
Paralelisht me 3 pikët e kuqezinjve, ishte dhe humbja e kombëtares serbe ndaj Anglisë së vendit të parë, çka ndau përfundimisht pozicionimin tonë në vend të dytë të grupit K, me Serbinë që mbetet në vend të tretë.
Kjo arritje e merituar plotësisht ka shkaktuar brohorima gëzimi në shkallët e stadiumit të Andorrës me shumë tifozë shqiptarë prezentë, por edhe në fushën e lojës, me lojtarët që arritën diçka të parealizuar më parë. I vetmi që nuk shprehu gëzimin mes festës ishte sulmuesi Armando Broja, të cilit i peshon shumë mungesa e paraqitjeve të mira me vazhdimësi. Por ishte Elseid Hysaj, që si një kapiten i vërtetë e tërhoqi atë nga pankina ku ishte ulur, për ta përfshirë në festën e grupit.
Por cilat janë rivalet e mundshme të Shqipërisë, për të realizuar ëndrrën e madhe të Botërorit 2026?
Më 20 nëntor, në Nyon të Zvicrës do të hidhet shorti i fazës “play-off”, i cili do ta përballë kombëtaren tonë me një nga skuadrat e Skocisë, Hungarisë, Çekisë ose Sllovakisë.
Kombëtare me të cilat mund të ndeshemi si të barabartë, por të vështira duke marë parasysh se ëndrra e Botërorit është njëlloj e vlefshme dhe për to. Ndeshjet e para “play-off” do të luhen më 26 mars. Deri atëherë, le të gëzojmë rezultatin e arritur mbrëmjen e djeshme.
