Chiara Ferragni paraqitet në gjykatë për akuzat për mashtrim: Një fazë e vështirë e jetës sime!
Influencerja me famë botërore Chiara Ferragni është prezantuar sot në Pallatin e Drejtësisë së Milanos për seancën e dytë paraprake të procedurës që e sheh të akuzuar bashkë me 2 persona të tjerë, për mashtrim të rëndë lidhur me çështjen e reklamës së kekut Pandoro Pink Christmas dhe vezëve prej çokollate të Pashkëve.
Gjatë seacnës e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, Chiara u shoqërua nga 2 avokatët e saj dhe sipas informacioneve ajo ka kërkuar një gjykim të shkurtuar për çështjen. Pritet që vendimi final të jepet në janar të vitit 2026.
Kjo është hera e parë që Ferragni paraqitet personalisht në gjykatë, pasi herën e parë nuk ishte prezente, duke qenë se bëhej fjalë vetëm për çështje teknike.
Prokuroria pretendon se mes vitit 2021 dhe 2022, Chiara ka përfituar nëpërmjet mashtrimit rreth 2.2 milionë euro, të cilat u mblodhën prej shitjes së produkteve promocionale, çmimi i të cilave në fakt nuk përfshinte bamirësinë e shpallur.
Influencerja i ka mohuar gjithmonë akuzat ndaj saj, por është treguar e disponueshme për të bashkëpunuar me drejtësinë. Madje ajo është kujdesur që vet të dhurojë për bamirësi rreth 3.4 milionë euro që të mund të mbyllet çështja administrative.
Ato që priten të shqyrtohen janë çështjet që janë vënë në pah nga Shtëpia e Konsumatorit, e cila ndër të tjera refuzoi një ofertë zgjidhjeje prej 5000 eurosh, por ka kërkuar një angazhim të plotë në mediat sociale nga Chiara Ferragni. “Faleminderit për vëmendjen dhe që jeni këtu. Kjo është një fazë e vështirë e jetës sime dhe besoj më kuptoni nëse ju them që nuk mund të flas më shumë. Gjithësesi faleminderit dhe vazhdojmë përpara.” – shprehet Chiara përballë gazetarëve që ishin prezentë para sallës ku u mbajt seanca.




