Një boksier shqiptar shpallet Kampion Bote, Jurgen Uldedaj bën histori
Ditën e djeshme, boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj është shpallur kampion bote për peshat “Cruiserweight”, në kategorinë IBO.
Në duelin e zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës, Uldedaj fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve (120-108, 118-110, 119-109), ndaj boksierit kamerunas Rolly Lambert Fogoum.
Ndonëse dueli parashikohej i vështirë, boksieri shqiptar arriti që falë grintës së tij dhe taktikës së duhur të krijojë avantazhin dhe ta menaxhojë atë deri në raundin e fundit.
Madje në rënien e ringut të fundit, dukej qartazi nga reagimet se sportisti nga Lezha ishte i bindur për rezultatin që kishte arritur, ende pa pritur vendimin e gjyqtarëve.
“Kampion i botës IBO – ëndrra u bë realitet. Sot është dita që kam ëndërruar gjithë jetën time. Pas shumë viteve sakrifice, mundi dhe besimi në Zot, u shpalla Kampion i Botës IBO në peshën cruiser. Ky titull nuk është vetëm i imi, është për gjithë shqiptarët kudo që janë. Për ata që besuan tek unë, për ata që më mbështetën dhe për çdo djalë apo vajzë që ka një ëndërr: asgjë nuk është e pamundur nëse nuk dorëzohesh. Faleminderit ekipit tim, familjes, trajnerëve dhe çdo personi që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Sot shkruam histori për Shqipërinë!” – shprehet Uldedaj në një postim në profilin e tij në Facebook. Ai ka marrë përgëzimet nga të gjithë shqiptarët anembanë botës, njerëz të sportit ose jo, për këtë arritje të madhe personale, por edhe fitore historike që e ngre flamurin shqiptar shumë lart në një kategori kaq të rëndësishme të boksit botëror.

