I bëri pyetjen e gabuar ChatGPT, arrestohet 13-vjeçari
Një djalë 13-vjeçar është arrestuar në Florida, pasi i bëri ChatGPT-së një pyetje të rrezikshme.
Sipas policisë së qytezës së Volusias në Florida, adoleshenti që ndiqte shkollën Southwestern Middle School, i kërkoi chatit më të famshëm të kohëve të fundit se “si mund të vriste një shokun e tij në klasë gjatë një ore mësimi?”
Ka qenë kjo pyetja që bëri “Gaggle”, sistemin e monitorimit shkollor që kontrollon profilet e nxënësve dhe studentëve, nëse kanë përmbajtje potencialisht të rrezikshme, që të ndërhynte. Menjëherë pasi është bërë sinjalizimi, agjentët kanë shkuar në shkollën ku studionte 13-vjeçari, për ta arrestuar atë e për ta marrë në pyetje. Pas ndalimit, ai u ka thënë policisë se pyetja që i kishte bërë ChatGPT-së ishte thjesht një “shaka pa kripë”.
Gjithsesi, ky rast jo vetëm që vazhdon të ngrejë dyshimet mbi sigurinë në shkolla, ku çdo vit në SHBA vriten dhjetëra fëmijë për shkak të sulmeve me armë, por edhe një çështje relativisht të re: atë të mbikqyrjes nga inteligjenca artificiale, në emër të sigurisë.
Pra, deri ku mund të lejohet inteligjenca artificiale të “përgjojë” njeriun në atë çka mendon, diskuton apo pyet, që më pas të “spiunohet” në autoritetet e tjera? Cili është kufiri që ndan çështjen e sigurisë me shkeljen e privatësisë së individëve? Këto janë pyetje që do të marrin përgjigje me kalimin e kohës, në një periudhë kur inteligjenca artificiale po shton frikën e marrjes në dorë të jetës së njerëzve. Gjithsesi, për aq kohë sa ajo ndërhyn në raste si ai i 13-vjeçarit, të gjithë jemi më të sigurt.