“Nuk e shoh dot më shumë se 5 minuta.” – Florjan Binaj dallon trishtim në “Portokalli”
Aktori dhe moderatori Florjan Binaj, që ditët e fundit ka shpallur kandidaturën e tij për t’u bërë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, ka qenë i ftuar bashkë me gazetaren Dojna Mema, në programin “Mirëmbrëma yje” të Arbana Osmanit.
Ndër shumë batutave, rrëfimeve të sekreteve të punës apo edhe të marrëdhënies së tyre si bashkëdrejtues të emisionit “Piranjat”, Binaj u pyet edhe për të shkuarën e tij si aktor.
Arbana Osmani i bëri atij një pyetje të drejtpërdrejtë, nëse e sheh më programin e humorit “Portokalli”, e po aq e drejtpërdrejtë ishte përgjigja e Florit.
“Jo, nuk e shoh më. Kam provuar të qëndroj më shumë se 5 minuta dhe… më vjen keq. Më vjen keq kur e shoh. Nuk dua të shoh diçka ku kam dhënë 18 vite të jetës sime në atë gjendje. Ka rënë entuziazmi, mjafton të shikosh sytë e aktorëve. Po t’ua mbulosh të gjithëve fytyrën e t’u lësh vetëm sytë jashtë, do të kuptosh që janë të trishtuar. Nuk ka më personazhe të reja, se ka humbur entuziazmi.” – tha pa hezitim Florjan Binaj.
Kujtojmë se aktori i njohur ka qenë protagonist i shumë roleve të pëlqyera në “Portokalli” ndër vite, çka edhe sot e bëjnë të identifikohet me to.
