(video) Rita Ora kërcen “me Dua Lipën” në Paris, fansat e bëjnë virale
Pasi shkëlqeu me paraqitjen e saj krah yjeve botërorë përballë aparateve fotografikë në Javën e Modës në Paris, këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora ka qenë e ftuar edhe në një program televiziv në Francë.
E ftuar si një “mega star”, sigurisht ajo ka dhuruar momente të këndshme për personat e pranishëm në studio, duke bërë batuta e duke kënduar live.
Por ajo që nuk ka mbetur pa u vënë re nga fansat, sidomos ata shqiptarë, ka qenë një moment kur gjatë një sfide për të gjetur këngët që vendoseshin nga programi, është “shfaqur” kënga “Houdini” e Dua Lipës. Rita ka hezituar në tingujt e parë të këngës, por më pas, falë edhe mimikave të saj ka treguar se ka kuptuar për cilën këngë e artiste bëhej fjalë, duke e shoqëruar gjetjen me këndim e kërcim.
Ka qenë ky reagim që ka ngacmuar ndjekësit e 2 këngëtareve shqiptare, nisur sigurisht edhe nga një supozim se marrëdhënia mes të dyjave nuk është “ideale”.
Nuk e dimë a e ka parë Dua videon apo nëse jo, dikush ja ka nisur, por shpresojmë që ajo të reagojë me kënaqësinë që reaguan shumë ndjekës të tyre kur panë videon e Rita Orës.