Rekord pas rekordi, tani Taylor Swift “pushton” edhe kinematografinë
Suksesi i saj i vazhdueshëm si këngëtare në mbarë botën, me turet e saj të shumtë dhe stadiumet e tejmbushur, duket se është i pamjaftueshëm për yllin e muzikës Pop, Taylor Swift.
Së fundmi, ajo ka treguar se nuk do të ketë rivalë as në ekranin e madh, pasi projekti kinematografik i titulluar “The Official Release Party of a Showgirl”, vetëm gjatë debutimit të tij në fundjavë ka arkëtuar plot 33 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 13 milionë dollarë janë të ardhurat e fituara në shtete të ndryshme të botës, çka e çon totalin deri tani në 46 milionë.
Ky është një tjetër rekord i artistes së famshme, e cila vetëm 12 orë para lançimit të filmit të saj, ka arritur numrin më të madh të dëgjimeve në një ditë në platformën muzikore Spotify për vitin 2025.
“The Official Release Party of a Showgirl” nuk cilësohet një dokumentar, e as një film-koncert siç mund të hamendësohet, por një produkt kinematografik 89-minutësh që u fal ndjekësve eksperiencën ekskluzive të albumit të 12-të të Taylor Swift, me 12 këngë dhe të pasuruar me momente të veçanta e të papublikuara më parë. Aty ajo flet edhe për të fejuarin e saj, lojtarin e futbollit amerikan Travis Kelce, me të cilin do të martohet në vitin 2026, si dhe për çështje të tjera personale.
