“Kam operuar gjirin” – Rrëfimi prekës i Albina Kelmendit, një thirrje për ndërgjegjësim
Këngëtarja e mirënjohur Albina Kelmendi, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision 2023, së fundmi ka dhënë një intervistë interesante për “Prive” nga Liberta Spahiu.
Teksa flet për mesazhet që merr nga njerëzit nëpër rrjetet sociale, ajo thotë që mes mesazheve të shumta pozitive ka dhe të tjera negative, të cilat përpiqet t’i anashkalojë. Madje ajo thotë se pikërisht për këtë arsye nuk i pëlqen aspak TikToku, ku i ka ndaluar komentet e njerëzve, se aty keqinterpretohen shumë gjëra që njerëzit e njohur thonë apo bëjnë.
Ndër të tjera, në kuadër të privatësisë, Albina ka bërë edhe një rrëfim personal lidhur me Tetorin rozë, muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.
Ajo është shprehur se vitin e shkuar ka kaluar një periudhë të vështirë, pasi i është nënshtruar një operacioni në gji.
“Shpeshherë e kemi foksuin vetëm te puna, suksesi. Jeta është bërë shumë dinamike saqë shpesh e harrojmë që shëndeti është mbi të gjitha dhe që mbi të nuk ka rëndësi as pasuria, as suksesi e as karriera.” – shprehet Albina në intervistë.
Ajo rrëfen se është ballafaquar vet me një problem shëndetësor, por që fatmirësisht e ka përballuar mirë dhe se analizat e fundit i kanë dalë pozitive.
Pas operacionit të kryer në gji, ajo thotë se ka nisur t’i kryejë rregullisht analizat dhe ta kontrollojë shëndetin e saj, çka në fakt duhet të jetë një thirrje për këdo që harrohet në vrullin e përditshmërisë.