Studimet tregojnë arsyen se pse shpesh zgjohemi pak minuta para se të bjerë alarmi
Na ndodh shpesh thuajse të gjithëve që të zgjohemi nga gjumi, pak minuta para se të bjerë alarmi që kemi vënë. Kjo dukuri, në të shumtën e rasteve është një shenjë pozitive.
Sipas studimeve të disa studiueseve nga “University of the Sunshine Coast” i Australisë, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e orës sonë biologjike dhe me cilësinë e gjumit.
Zgjimi ynë natyral varet nga ai që quhet ritmi cirkadian, pra cikli 24-orësh që rregullon alternimin mes gjumit dhe zgjimit, në përputhje me dritën dhe errësirën.
Në qendër të këtij mekanizmi ndodhet një grup i vogël neuronesh në hipotalamus, i njohur si bërthama “suprachiasmatikus”, e konsideruar si ora kryesore e trupit. Kjo strukturë sinkronizon funksione të rëndësishme biologjike si gjumi, uria dhe temperatura e trupit, në raport me mjedisin e jashtëm.
Gjithësesi, çdo person ka një orë të brendshme të ndryshme: disa janë më aktivë herët në mëngjes, të tjerë në orët më të vona. Kur jeta e përditshme është e rregullt, me orare të qëndrueshme për gjumin, ushqimin dhe aktivitetin fizik, ora biologjike përshtatet dhe “mëson” këto zakone. Për këtë arsye, trupi përgatitet për zgjim përmes mekanizmave hormonalë, duke përfshirë edhe rritjen e prodhimit të kortizolit në mëngjes, hormon që ndihmon në rritjen e energjisë.
Në këtë kontekst, zgjimi para alarmit dhe ndjenja e freskisë në mëngjes tregojnë se ora biologjike funksionon mirë. Në të kundërt, nëse zgjimi shoqërohet me lodhje, përgjumje gjatë ditës apo me mungesë energjie, mund të jetë shenjë e gjumit jocilësor. Janë faktorët si stresi, ankthi, ushqyerja e keqe apo çrregullimet e gjumit ato që mund të ndikojnë negativisht.
Ekspertët e fushës këshillojnë që në rast se keni vazhdimisht vështirësi me gjumin ose lodhje kronike, të kërkoni ndihmë te mjeku. Gjumi i mirë nuk është vetëm çështje rehatie, por një element kyç për shëndetin dhe mirëqenien afatgjatë.