Sorry, no posts matched your criteria.

Studim – Zbulohet se si truri “përzgjedh” informacionet që do të ruajë në kujtesën afatgjatë

Sipas një studimi të publikuar në revistën prestigjioze “Nature”, është zbuluar mënyra se si truri ynë zgjedh se çfarë të mbajë mend për një kohë të gjatë.

Bazuar në testimet e kërkuesve të Rockefeller University në Nju Jork, formimi i kujtesës afatgjatë nuk është një proces i menjëhershëm apo i rastësishëm, por një mekanizëm dinamik që evoluon me kalimin e kohës.

Studiuesit zbuluan se ky proces kontrollohet nga një “ujëvarë kohëmatësish molekularë” të cilët aktivizohen në momente të ndryshme. Disa prej tyre nisin punën menjëherë pas marrjes së informacionit, ndërsa të tjerë aktivizohen shumë më vonë, duke përcaktuar nëse kujtimi do të konsolidohet në tru apo do të zhduket përfundimisht.

Eksperimentet janë zhvilluar te disa minj që lëviznin në një sistem të realitetit virtual. Duke analizuar aktivitetin e trurit të tyre gjatë krijimit të kujtimeve të reja, studiuesit identifikuan tre rregullatorë kryesorë: “Camta1”, i cili aktivizohet në hipokamp menjëherë pas marrjes së informacionit; “Tcf4”, që ndihmon në ruajtjen e kujtimit me kalimin e kohës; “Ash1l”, që siguron konsolidimin përfundimtar të kujtesës afatgjatë.

Përveç hipokampit, rol të rëndësishëm luajnë edhe talamusi i cili shërben si urë mes kujtesës afatshkurtër dhe asaj afatgjatë, si dhe korteksi cingulat anterior, pra zona ku ruhen kujtimet më të qëndrueshme. Sipas analizave të studiuesve, këto zbulime mund të hapin rrugë të reja për trajtimin e çrregullimeve të kujtesës, duke përfshirë edhe Alzhaimerin. Kuptimi i fazave të formimit të kujtesës mund të ndihmojë për të anashkaluar zonat e trurit të dëmtuara dhe për të përdorur rrugë alternative që lejojnë ruajtjen e kujtimeve në tru.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com