Ndërron jetë Fatos Nano, ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste
Pas një beteje të gjatë me problemet shëndetësore, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare.
Burime mjekësore bëjnë me dije se Nano ndërroi jetë sot në një spital privat në Tiranë, pas disa javësh nën kujdes intensiv. Ai ishte shtruar më 8 tetor për shkak të komplikacioneve kronike në aparatin respirator dhe që prej asaj kohe gjendja e tij ishte rënduar ndjeshëm.
Fatos Nano u shqua si themelues dhe drejtuesi i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke udhëhequr transformimin e ish-Partisë së Punës në një forcë moderne politike, që do të luante një rol qendror pas viteve ’90.
Nano qëndroi në krye të Partisë Socialiste nga 12 qershori 1991 deri në vitin 2005, kur u tërhoq nga politika aktive. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur postin e kryeministrit të Shqipërisë 4 herë dhe ka qenë një prej figurave më me ndikim në periudhën e tranzicionit politik të vendit. Ngushëllime për Fatos Nanon kanë shprehur publikisht shumë nga figurat e politikës në vend, miqtë apo edhe kundërshtarët e tij politikë, nisur nga Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, deputeti Taulant Balla, Erion Braçe, Tritan Shehu i PD, Ali Ahmeti i BDI në Maqedoninë e Veriut etj.