Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare ikona e muzikës italiane, Ornella Vanoni
Ornella Vanoni, një ndër figurat më të mëdha të muzikës së lehtë italiane, është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në apartamentin e saj në Milano në moshën 91-vjeçare. Nga informacionet thuhet se shkak i vdekjes ka qenë një arrest kardiak.
Në telefonatën e fundit që i ka bërë mikut të saj Maurizio Porro, ajo i kishte thënë se ndjente një dhimbje të papritur, nga ato që nuk mund të injorohen.
“Ndjej një dhimbje, njësoj sikur një thikë po më përshkon shpinën.” – i kishte thënë Ornella mikut të saj pak para se të ndahej nga jeta.
Me një karrierë të jashtëzakonshme, të nisur që në vitin 1956, Vanoni numëron më shumë se 100 projekte mes albumeve, EP-ve etj, duke shitur rreth 55 milionë kopie.
Artistja e kompletuar, e dalluar për timbrin e saj vokal të pangatërrueshëm i mbijetoi epokave të ndryshme artistike, duke e prezantuar edhe në ditët e sotme veten si një figurë shumëngjyrëshe, e pëlqyer nga të gjithë brezat.
Ka interpretuar këngë që janë në kujtesën e italianëve dhe jo vetëm, si kënga “Senza fine”, në bashkëpunim me kolegun dhe partnerin e saj të kohës Gino Paoli.
Karriera e saj u shenjua edhe nga bashkëpunimet e shumta me disa prej artistëve më në zë si Toquinho, George Benson, Herbie Hancock, Gino Paoli, Dario Fo, Paolo Conte, Fabrizio De André, Ivano Fossati, Lucio Dalla, Mogol, Renato Zero dhe Riccardo Cocciante. Përveç këtyre, në vitet e fundit bashkëpunoi edhe me muzikantë të gjeneratave të reja si Pacifico, Francesco Gabbani etj.
Kujtojmë se ajo ka marrë pjesë në 8 edicione të ndryshme të Sanremos.
Bota e artit dhe e televizionit vajton sot për ikjen e saj. Ndër personazhet që kanë shprehur një mesazh publik ngushëllimi për artisten e madhe përmendim Loredana Berte, Patty Bravo, Vasco Rossi, Laura Pausini, Enrico Mentana, Fabio Fazio, Mara Venier, Simona Ventura etj.





