“Mbrojmë shëndetin mendor!” – Nga sot, Australia ndalon zyrtarisht rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç
Prej ditë së sotme, 10 dhjetor 2025, në Australi hyn në fuqi ligji i ri që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Qëllimi i kësaj mase, sipas qeverisë australiane ka qenë mbrojtja e të miturve nga ndikimet e platformave në shëndetin e tyre mendor.
Ky ndalim përfshin të gjitha platformat si Instagram, Facebook, YouTube, TikTok, Snapchat, Reddit, Twitch, X, Threads, duke i lënë hapësirë edhe ndalimit të platformave të tjera sociale më vonë.
Pikërisht kompanitë e sipërpërmendura të teknologjisë janë të detyruara të raportojnë numrin e përdoruesve nën 16 vjeç para dhe pas hyrjes në fuqi të ligjit, si dhe të çaktivizojnë përfundimisht llogaritë e të mturve. Moszbatimi mund t’u kushtojë atyre deri në 49.5 milionë dollarë australianë gjobë. Gjithësesi, pavarësisht ndryshimeve është ende e paqartë se si kompanitë do të verifikojnë moshën kur ligji nuk u lejon platformave të kërkojnë dokumente zyrtare identifikimi.
Sipas studimeve të Zyrës së Komisioneres për Sigurinë Online, rreth 96% e fëmijëve australianë të moshës 10-15 vjeç përdorin rrjete sociale. Ndërkohë, 77% e australianëve e mbështesin ndalimin, por disa kompani teknologjike paralajmërojnë se kufizimi mund t’i shtyjë të rinjtë drejt aplikacioneve më pak të sigurta. Kryeministri Anthony Albanese e quajti këtë vendim si një hap kur familjet australiane po marrin fuqinë mbrapsht nga kompanitë e mëdha të teknologjisë. Australia po bashkëpunon edhe me “Laboratorin e Mediave Sociale të Universitetit Stanford” për të analizuar efektet e ligjit, ndërkohë që edhe vende si Danimarka apo Malajzia po shqyrtojnë masa të ngjashme.