Sorry, no posts matched your criteria.

Elsa Lila: Për mua, mamaja ime është ende gjallë, ndoshta diku në një kontinent tjetër…

Pasditen e djeshme, këngëtarja e mirënjohur shqiptare Elsa Lila ka qenë protagoniste e shumë videove të publikuara në rrjetet sociale, për shkak të prezencës së saj “në të njëjtën kohë” tek podcastet e Grida Dumës dhe të Arbana Osmanit. Në këtë betejë se “cila e publikon e para intervistën”, fjalët e Elsës spikatin për sinqeritetin e saj, mënyrën e dretjpërdrejtë të të thënit të disa gjërave në raport me muzikën, kolegët apo padrejtësitë, si dhe dhimbjen që dallon në zërin e saj teksa flet për gjarjen e dhimbshme të humbjes së mamasë Eva Vishaj.

Në bisedën me Grida Dumën, këngëtarja fituese e Festivalit të Këngës në RTSH, e festivalit “Kënga Magjike” etj., tregon se kur ka marrë vesh lajmin se e ëma kishte vdekur, sapo kishte mbërritur në Itali me helikopter dhe kthimi në Shqipëri ishte shumë i vështirë, duke qenë se bëhet fjalë për vitin famëkeq 1997.

“Gjeja më e dhimbshme ishte fakti se kufijtë e Shqipërisë ishin të mbyllur për shkak të gjendjes që po kalonte dhe unë nuk mund të kthehesha në shtëpi për ta parë mamanë. Ky ishe burgu im i parë. Fillimisht e urreva Italinë, sepse ata nuk më lejuan të rikthehesha me një tjetër helikopter në vendlindje. Kështu më thoshte mendja ime prej 15-vjeçareje.” – shprehet me ironi por edhe me keqardhje artistja.

“Unë vetëm e kam imagjinuar mamanë. Kam parë vetëm një gur, kur janë hapur kufinjtë në tetor dhe unë munda të rikthehesha. Unë ende sot nuk e realizoj që mamaja nuk është më, sepse nuk e kam parë. Për mua ajo është diku, nuk ka ndodhur ajo që ka ndodhur. Për mua ajo jeton dhe e mendoj sikur është në një kontinent tjetër duke bërë jetën e saj. Nuk e kam parë dhe nuk e kam përjetuar. Këtë gjë truri im nuk e ka procesuar asnjëherë.” – rrëfen mes emocionesh Elsa.

Më tej, këngëtarja tregon se kur mbushi 18 vjeç ishte hera e parë që pa fotografinë e mamasë së saj të vrarë, në zyrën e një prokurori.

“Duke qenë se ngjarja ndodhi në vitin 1997, derisa unë arrita moshën madhore, dosja e nënës sime u zhduk. Më thanë që ishte një dosje voluminoze, por duke qenë se ishte viti 1997, ata që kryen krimin u impenjuan të fshinin shenjat, dokumentat. Kështu që çdo gjë nisi nga një fotografi e morgut.” – thotë Elsa, teksa rrëfen se në momentin që prokurori i tregoi fotografinë e mamasë, ajo nga shoku që pësoi, volli në tavolinë. Menjëherë pas kësaj, Elsa Lila preu biletën për t’u rikthyer sërish në Romë. Dy javë më pas, pasi kishte mbledhur forcat, Elsa u rikthye në Shqipëri për të nisur betejën për të vërtetën mbi mamanë e saj. Sipas këngëtares, procesi ishte i vështirë sepse ishte vetëm, por edhe i rrezikshëm pasi bëhej fjalë për një vrasje që kishte dhe çështje politike brenda. Ajo rrëfen se nga njerëz të panjohur është ndjekur, është përgjuar dhe është kërcënuar shpesh herë me jetë, që të mos e ndiqte më çështjen për zbardhjen e vrasjes së mamasë së saj, por të hiqte dorë. Gjithësesi, Elsa Lila tha që çdo gjë në lidhje me atë periudhë do të rrëfehet në një libër tjetër, ndoshta pak vite më vonë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com