E rrallë! Vajzës me origjinë shqiptare i heqin kurorën e “Miss Finland” për një gjest të cilësuar racist…
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Finlandë, e cila ka përfshirë Sarah Dzafce-n, vajzën 22-vjeçare me origjinë nga Kosova që më pak se 3 muaj më parë u zgjodh Miss Finlanda.
Asaj i është hequr zyrtarisht kurora, pasi akuzohet se ka bërë një gjest racist në rrjetet sociale. Sipas informacioneve, ka qenë një foto e Sarah në aplikacionin Jodel, ku ajo shihet që me duar ka tërhequr sytë, si për të imituar një person aziatik.
“Duke ngrënë me një kinez!” – ka shkruar poshtë fotos 22-vjeçarja e lindur nga një nënë finlandeze dhe me baba nga Kosova. Flitet se fillimisht ajo është përpjekur ta justifikojë gjestin duke thënë se ka tërhequr fytyrën pasi kishte dhimbje të forta koke, por më vonë ka kërkuar falje.
Ka qenë pikërisht ky veprim që edhe pse mund të jetë bërë me shaka, ka nxitur kritika të shumta në Finlandë, me akuzën se vë në lojë aziatikët.
“I kërkoj falje kujtdo që është ofenduar nga veprimet e mia në rrjetet sociale.” – është shprehur ajo për mediat finlandeze.
Sarah gjithahshtu ka bërë dhe një postim ndjese online, ku ka marrë të gjitha përgjegjësitë.
“E kuptoj shumë mirë që veprimet e mia kanë shkaktuar ndjesi të keqe dhe më vjen shumë keq për këtë. Titulli Miss Suomi (Miss Finlanda) nuk është thjesht një kurorë për mua, por gjithashtu një përgjegjësi.” – ka shkruar ajo.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Organizata e Miss Finlandës, e cila është shprehur se nuk mund të pranojë kurrësesi sjellje diskriminuese apo raciste të asnjë lloj forme. “Organizata jonë është e drejtuar nga vlerat e respektit, barazisë, përgjegjshmërisë dhe dinjitetit njerëzor. Këto principe janë të panegociueshme.” – thuhet në deklaratën e organizatës, e cila pas një takimi ka vendosur t’i heqë zyrtarish kurorën 22-vjeçares Sarah Dzafce, duke ja kaluar vendit të dytë të kompeticionit, Tara Lehtonen.




