Donald Trump “çon” paqen në Gaza, por Çmimin Nobel e fiton një grua
Çmimi Nobel për paqen në vitin 2025 i shkon lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado.
Komiteti norvegjez i Nobelit vendosi që t’ja japë këtë vlerësim “një kampioneje trime dhe të përkushtuar të paqes.” 58-vjeçarja nga Venezuela u cilësua gjithashtu fituese për arsye të punës së palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike në vendin e saj.
Sipas Jørgen Watne Frydnes, kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel, Machado i plotësonte të gjitha kriteret e çmimit, duke shtuar se ajo ka bashkuar opozitën venezueliane, për t’i hapur rrugën tranzicionit paqësor të vendit drejt demokracisë. María Corina Machado “i rrëmbeu” çmimin Nobel për paqen presidentit amerikan Donald Trump, që aq shumë e ka kërkuar e synuar muajt e fundit. Do të ishte momenti ideal për një çmim të tillë për Trump, sidomos në ditët kur arrihet faza e parë e paqes mes Izraelit dhe Hamasit, por Komiteti i Nobelit kishte tjetër mendim. Sipas tyre, çdo vit ata marrin mijëra letra nga njerëz të cilët mendojnë se kanë gjetur “zgjidhjen” për paqen, por nuk mjafton vetëm kaq, pasi duhet nje process i gjatë studimi dhe analizash për të arritur në një emër që i bashkon të gjithë.
