“Kisha pirë qetësues për atak paniku!” – Belen Rodriguez sqaron videon virale të intervistës së saj të çuditshme
Një video që ka qarkulluar ditën e djeshme në media të ndryshme, ku protagoniste ishte Belen Rodriguez në një event publik, dukshëm në gjendje jo të mirë shëndetësore, ka shqetësuar fansat e saj por edhe ka ngjallur shumë dyshime për arsyet.
Ajo është parë në video t’i përgjigjet në mënyrë të çuditshme pyetjeve gjatë intervistës, me një ritëm shumë të ngadaltë nga sa jemi mësuar ta shohim Belen, si dhe është filmuar rrugës duke ecur jo mirë. Këto momente kanë bërë që ndjekësit të shkruajnë se ajo mund të kishte qenë e dehur, apo edhe e droguar, çka ka krijuar shumë polemika.
Një ditë pas këtij eventi, ka qenë vet Belen që ka dashur të sqarojë gjithçka, me një video të postuar në rrjetet sociale.
“Pësova një atak paniku dhe kisha marrë disa qetësues për t’u ndjerë më mirë.” – shprehet qartazi argjentinasja.
“Nuk e kam mbajtur kurrë sekret jetën time dhe kam folur gjithmonë për depresionin nga i cili kam vuajtur për shkak të shumë atakëve të panikut. Ju garantoj që kjo nuk është aspak gjë e mirë.” – shton Belen, e cila rrëfen se ditën e intervistës ka qenë e vetme në shtëpi, pa fëmijët e saj.
“U shqetësova shumë, prandaj mora një qetësues. Më pas një tjetër, e sërish një tjetër. Rezultati ishte i dukshëm, ai që patë të gjithë. Nuk ishte as për mua një gjë e bukur ta shihja veten ashtu.” – rrëfeu showgirl-i, duke dashur të shprehë se është e vështirë të tregohesh vulnerabël kur të gjithë prozhektorët janë mbi ty.
Ky rast ka bërë që të sillet sërish në qendër të vëmendjes një temë shumë e rëndësishme e viteve të fundit: ajo e shëndetit mendor. Të flasësh për atakët e panikut lirshëm dhe para të tjerëve është ende një gjest i rrallë, sidomos për ata që janë personazhe publikë.
“Është e vështirë ta pranosh veten me këto dobësi, sidomos kur bën një punë publike, kur të gjitha dobësitë e tua mund të vihen në lojë.” – deklaron argjentinasja, si për të kritikuar të gjithë ata që aluduan për arsye të tjera si shkaktare të gjendjes së saj të rënduar.
Ajo informon gjithashtu se ka dashur të jetë prezente në intervistën për Vanity pavarësisht gjendjes së saj, pasi kërkon gjithmonë të jetë korrekte. Rrëfimi i sinqertë i Belen ka prekur fansat e saj të cilët e kanë përkrahur nëpër komente me mesazhe solidariteti dhe kurajoje.