Arjan Sala shpallet “Dëshmor i Atdheut”
Arjan Sala u fut mes zjarrit në magazinën e “Casa Italias” për t’ju shpëtuar jetën 20 punonjësve të tjerë. 32-vjeçari u nxor i pajetë 2 ditë më parë, pas disa ditësh kërkime nga zjarrëfikësja. Ekspertiza paraprake ka zbuluar se zjarri është ndezur për shkak të një shkëndije elektrike në kabllin e një llambe neoni. Sipas “Report Tv”, shkëndijat e ndezura pas defektit kanë rënë mbi disa rroba sintetike duke hapur flakë të shumta.
Ai është shpallur ditën e sotme “Dëshmor i Atdheut”. Titulli për 32-vjeçarin është dhënë nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe pritet që t’i dorëzohet familjes së të ndjerit nga kryeministri Edi Rama.
Arjan Sala, 32 vjeç, prej vitesh punonjës security, ishte babai i një fëmije të mitur. Ai jetonte me bashkëshorten, djalin, nënën dhe të atin. Familjes i ka siguruar të ardhura që në moshën 18 vjeç, kur nisi edhe punën e parë.