Sorry, no posts matched your criteria.

Rezarta Koçi: Gruaja që sfidon me drejtësi

Nëse mendoni se noterja është imazhi i një gruaje të hekurt, pas letrave dhe ligjeve, ky nuk është rasti i Rezartës. Pas kostumit zyrtar, fshihet një grua që ka një zemër të madhe dhe përpiqet çdo ditë të bëjë më të mirën për vendin e saj. Edhe pse pas studimeve për Shkenca Sociale, ajo iu dedikua noterisë, misionin social nuk e ka braktisur kurrë. Si një zë i fuqishëm për femrën shqiptare, ajo nuk lë pa pasur në agjendën e saj edhe bamirësitë. Në intervistën dhënë për Global Woman, njohim sfidat e një gruaje, që paragjykimet ka zgjedhur t’i mbysë me punë dinjitoze. E vetëdijshme për aftësitë që mbart, Rezarta është gati të jap më të mirën si notere, por edhe të jetë një vlerë e shtuar për gruan shqiptare.

Kush është Rezarta për të gjithë ata që nuk e njohin?

Rezarta për të gjithë ata që nuk e njohin është një femër e cila ka zgjedhur të punojë fort dhe të ndjekë qëllimet e saj. Lindur dhe rritur në Tiranë, edukuar nga një familje që prioritet ka patur gjithmonë kulturën dhe edukimin në nivele të larta, që e vogël dallohesha për vullnetin që kisha për të mësuar dhe dëshirën për të sjell ndryshim, për të bërë diçka më shumë për vendin dhe sot ja ku jemi.  

Si ka qenë kapërcimi juaj nga shkollimi për Shkenca Sociale, në noteri?

Siç e thashë më lart kam pasur gjithmonë dëshirë të studioja që të beja diçka, të sillja një ndryshim, dhe Shkencat Sociale nuk kanë të bëjnë vetëm me fushën akademike por me çështjen sesi njerëzit e shohin vetveten në rradhë të parë, më pas si kontribuojnë ata për komunitetin ku bëjnë pjesë. Dhe drejtësia ka qënë gjithmonë një nga pasionet e mia, kështu që vendosa të vij në ndihmë të njerëzve, jo vetëm komunitetit por më gjërë, duke i ndihmuar ata me akte noteriale, çështje nën/ligjore, konsulencë.

Edhe pse e profilizuar tek noteria, duket se nuk lini pas dore çështjet sociale, sa vend social mund të quhet Shqipëria?

Historia ka treguar që pavarësisht situatave apo gjendjes së ndryshme ku jemi ndodhur, Shqipëria gjithmonë është munduar të jetë sociale me vendet e tjera dhe të krijojë marrëdhënie bashkëpunuese në fusha të ndryshme, flasim kryesisht pas viteve ‘90 e deri më sot që siç shikojmë politikat që janë ndjekur janë gjithmonë për të rritur ecurinë dhe marrëdhëniet sociale me vendet fqinje e me gjërë. Nëse flasim për njerëzit, besoj është e ditur botërisht, që ne si shqiptarë jemi shumë social, përshtatemi shpejt në çdo ambient dhe kulturë dhe jemi shumë fleksibël.

Si e shihni sot rolin e gruas në vendin tonë, çfarë mund të bëjmë për ta përmisuar këtë rol?

Gruaja është jo vetëm themeli i shoqërisë, por dhe arkitekte e saj, është femra ajo që e ndërton dhe e krijon familjen, shoqërinë e më gjërë. Roli i femrës padiskutim që është rritur, nuk është më femra e vetmja që duhet të punojë për familjen apo te shërbejë, kohët patriakale kanë kaluar, njerëzit janë bërë çdo ditë e më shumë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për rolin kryesor të femrës, dhe tashmë përveç rolit të saj në familje femrat bëhen dhe mentore të shkëlqyera dhe karrieriste shumë ambicioze dhe të arrira. Unë gjithmonë e them që ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm dhe kjo arrihet nëpërmjet kauzave të ndryshme dhe ngritjes së zërit. Përherë ekziston mundësia e përmirësimit dhe arritjes së më të mirës.

A keni ndjerë paragjykime apo “brryla” përgjatë karrierës suaj, si i keni kapërcyer ato?

Anjshtaji thoshte që është më e thjeshtë të zbërthesh një atom sesa një paragjykim. Pavarësisht çdo gjëje, paragjykimet do ekzistojnë. Njerëzit paragjykojnë punën, karrierën, postin, pamjen, por unë nuk jam ndalur asnjëherë, pavarësisht pengesave apo paragjykimeve, apo siç e thatë ju “bërryla” unë ua kam lenë në dorë njerëzve që t’i zhdukin këto paragjykime duke parë gjithë punën që bëj dhe projektet që marr përsipër. Pra lë punën që të flasë.

Pse është më e vështirë për një grua të bëjë karrierë?

Sepse femra ka një barrë më të madhe përsipër. Një femre i duhet të jetë nënë, të kujdeset për familjen, për fëmijet, për punët e ndryshme dhe mbi këto të bëjë dhe karrierë. Prandaj forca e femrës është e pathyeshme dhe femrat ja dalin mbanë që t’i kalojnë vështirësitë.

Si u gjendët në noteri, ku ndahet dhe bashkohet ky profesion me Shkencat Sociale?

Pasi mbarova fakultetin e dytë për Drejtësi punova për 8 vite në Ministrinë e Drejtësisë, një eksperiencë që më rriti goxha profesionalisht dhe prandaj vendosa që të jem sa më pranë drejtësisë me anë të zyrës noteriale. Ndahet me shkencat sociale në aspektin që ke të bësh më me probleme që kërkojnë zgjidhje nga ana ligjore, formale, dokumente juridike, kontrata. Ndërsa shkencat sociale prekin më shumë anën emocionale të njerëzve, ndihma që iu jepet atyre, gjëndesh më afër shpirtërisht me ta. Pavarësisht kësaj, e gjej mundësinë që t’i bashkoj të dyja. Për shmbull, kohët e fundit së bashku me Miss Universe Albania 2020 Paula Mehmetukaj kemi marrë përsipër një projekt bamirësie të cilin po e bëjmë më shumë dëshirë për të ndihmuar zonjat/zotërinjtë që për fatin e tyre jo të mirë ndodhen në azil, pasi kush dëshiron të jetë larg familjes. Morëm këtë vendim së bashku me Paulën pasi kauza e saj ishte bamirësia dhe pashë një dëshirë të madhe të saj për të ndihmuar njerëzit, për t’u gjendur sa më pranë tyre, dhe u përputhëm në këtë pikë, morëm përsipër këtë projekt. Pra pavarësisht që jam notere, ndjenja sociale është dhe do jetë gjithmonë.

Cilat janë sfidat tuaja si notere?

Sfidat janë nga më të ndryshmet pasi ke të bësh me çështje që kërkojnë përqendrim dhe kohë të gjatë për t’u zgjidhur, apo kanë shkallë të ndryshme vështirësie normalisht, nuk janë të gjitha njësoj. Ndonjëherë ke të bësh dhe me njerëz që kanë karakter të vështirë, e kanë të vështirë të presin apo kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe rrisin vështirësinë e punës, por tashmë jemi mësuar dhe ja dalim me sukses.

Studioja juaj është ndër më dinjitozet në vend, çfarë iu diferencon nga kolegët?

Di të them që punoj nga mëngjesi deri vonë, dedikimi, disiplina, por dhe mënyra e zgjidhjes së çështjeve dhe të punuarit bën diferencë të madhe.

Për çfarë iu drejtohen më së shumti shqiptarët noteret, kush janë pyetjet më të shpeshta që iu drejtojnë?

Përveç noterizimeve të thjeshta, kryesisht çështje pronash, çështje revokimesh, prokurash, kontrata të ndryshme.

Keni synime për të ardhmen, ku doni ta çoni karrierën tuaj?

Gjithmonë rritje profesionale, në fushën e drejtësisë.

Kur dita dhe angazhimet përfundojnë, si vijon jeta juaj?

Kur dita dhe angazhimet e shumta përfundojnë jam pranë familjes, fëmijëve, pasi jam mama e 2 djemve dhe në momentin e parë që kam kohë të lirë përpiqem ta shfrytëzoj pranë tyre, dhe pranë miqve të mi.

E keni menduar veten në një fushë tjetër, çfarë do të bënte tjetër mirë Rezarta?

Nëse nuk do merresha me noteri patjetër që do i dedikohesha çështjeve sociale. Për mua Shkencat Sociale mbetet dashuria e parë dhe nuk harrohet. Do më pëlqente të merresha me projekte të ndryshme bamirësie, ndihmëse ose dhe të isha pjesë e një fondacioni bamirës do ishte fantastike.

E pa ndikuar nga profesioni, a bëni kompromise?

Kompromiset janë pjesë e jetës, për mua një kompromis tregon shumë maturi dhe në çdo fushë përtej punës, kemi kompromise, kështu që po do bëja kompromis, por varet gjithmonë se për çfarë bëhet fjalë, sepse dhe kompromisi ka një limit deri ku mund të arrijë, ashtu si çdo gjë në jetë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com