Sorry, no posts matched your criteria.

Për çfarë shpenzuan shqiptarët më së shumti këtë fundviti

Trendi i blerjeve festive ndryshoi në vitin që sapo lame pas. Sezoni i blerjeve filloi tre muaj para, duke shmangur blerjet spekulative në ditët e fundit të dhjetorit. Operatorët e mëdhenj të shitjeve me pakicë thanë se sezoni i blerjeve për fundvit është zgjatur. Blerjet e mobilieve dhe dhuratave të kushtueshme nisën që në fund të tetorit. Shitjet në linjat e lodrave për fëmijë, produktet në supermarkete dhe mobilieri janë rritur me ritme dyshifrore. Trendet e reja të blerjeve festive dhe nga u gjeneruan të ardhurat për blerjet

Entuziazmi i blerjeve festive nuk është penguar as nga çmimet e larta dhe as pandemia, teksa të gjitha linjat e tregtisë me pakicë, që nga artikujt e përdorur deri te blerjet e sofistikuara teknologjike raportuan shitje jo të zakontë në dy muajt para festave.

LEXO EDHE:

Mbi 1 miliardë euro transferta personale nga bota mbërritën në Shqipëri

Kufizimet në lëvizje që nga fillimi i pandemisë dhe përqendrimi i aktivitetit jetësor në gjëra të thjeshta, kryesisht kujdesi për veten dhe shtëpinë, e kanalizuan konsumin në ushqime dhe pajisje që kishin të bënin me përmirësimin e infrastrukturës në ambientet e brendshme.

Ky trend, i cili nisi që gjatë pandemisë, kur njerëzit u mbyllën për një kohë të gjatë në shtëpi dhe vunë re nevojat e paplotësuara në banesa, vijoi edhe në festat e fundvitit. Distributorët e pohuan rritje të shitjeve në volum, pavarësisht se çmimet ishin më të larta.

Shpenzimet e konsumit po ushqehen kryesisht nga kursimet, remitancat që ishin me rritje këtë vit dhe nga kanalizimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe argëtimit në pajisje për shtëpinë. Udhëtimet jashtë vendit dhe festat e fundvitit në bare dhe restorante ishin shndërruar në traditë në Shqipëri, por kufizimet në lëvizje dhe shtrëngimi i masave nga disa vende europiane i kanë ndryshuar planet. Kalimi i ditëve të pushimeve në shtëpi po shton nevojat për pajisje të reja.

 “Best Seller”, operatori më i madh i mobilieve në vend, tha se, kërkesa në prag të festave ishte e lartë këtë vit.Burimet zyrtare nga kompania shpjeguan se kërkesa ishte më e lartë se vitet e zakonshme si për eksportin, edhe për tregun vendas. Rritja ka qenë mbi 25-30%, në varësi të produkteve gjatë dhjetorit, pohoi kompania.

Grupi “Balfin”, operatori më i madh i tregtisë me pakicë në rrjetin e dyqaneve “Jumbo”, “Neptun”, “Spar Albania”, “Fashion Group Albania”, raportoi rritje të shitjeve gjatë gjithë vitit 2021 dhe në fundvit. Për sa u përket volumeve, “Neptun” ka shënuar rritje prej 23%, FGA 30%, “Spar Albania” 25% dhe “Jumbo”, 21%, duke përfshirë edhe shitjet që rrjetet kanë në dyqanet e tjera jashtë vendit.

I njëjti trend ka vijuar edhe për produktet ushqimore në njësitë e specializuara të shitjes së tyre. “Big Market”, një nga operatorët më të mëdhenj të shitjes me pakicë në vend, pohoi se shitjet gjatë dhjetorit ishin të larta në raport me vitet e tjera të zakonshme për të gjithë llojet e produkteve. Rritja e konsumit në prag të festave u mbështet edhe nga disa tregues indirektë, si importet, tregtia me pakicë në volum, të cilat ishin me rritje mbi mesataren historike në gjysmën e dytë të vitit.

Zgjatet sezoni festiv, blerjet që tre muaj para

Çdo vit që kalon, sezoni i festave të fundvitit zgjatet në kohë. Artikujt që lidhen me festat, zbukurimet festive nisin që në nëntor. Konsumatorët, sidomos më të rinjtë në moshë, i konceptojnë blerjet që në shtator dhe i realizojnë ato më shpejt.

Kjo tendencë u shfaq fort këtë vit, tha Fatmir Braha, i cili zotëron një njësi të prodhimit të mobilieve. Mobilieri “Braha”, me përvojë gati 30-vjeçare në treg, tregon se po shfaqet një tendencë e re e porosive të fundvitit. Zakonisht shqiptarët i përqendrojnë porositë në dhjetor dhe shpesh puna ishte e papërballueshme. Pandemia ka nxitur kreativitetin dhe kërkesat për mobilie këtë vit kanë qenë shumë të veçanta, duke ju shmangur standardit të zakonshëm.

Kërkesa ishte e lartë dhe e larmishme për festa, edhe pse çmimet ishim të larta gjatë sezonit, tha zoti Braha. Sipas tij, shitjet ishin të larta, por rritja u pengua nga mungesa e punonjësve dhe pamundësisë për të shtuar kapacitetet e prodhimit pikërisht për shkak të mungesës së punonjësve. Sektori i mobilieve po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore më shumë se disa sektorë të tjerë. Teksa kërkesa për mobilie ka qenë e lartë, edhe për shkak të rritjes së vëllimeve të reja, mobilieritë nuk po gjejnë punonjës të rinj, pasi kërkohet kualifikim.

Burimet zyrtare nga grupi “Balfin” raportuan rritje të qëndrueshme të shitjeve me mbi 20% në të gjitha njësitë në dy muajt para festave.

Kthehet kënaqësia e blerjeve në dyqane, po shitjet online mbeten më të larta

Kufizimet pandemike, sidomos vitin e kaluar dhe vala e dytë e pandemisë (nëntor 2020-shkurt 2021) që përkoi me festat vjet i kontraktoi disi blerjet fizike, teksa u vu re një trend në rritje i shitjeve online.

Ndryshe nga viti i kaluar, frekuentimi fizikisht i dyqaneve në rrjetin e kompanive “Balfin” është rritur, pohuan burimet në kompani. Frekuentimi i dyqaneve është pjesë e rutinës së festave dhe kënaqësisë që të jep ky proces. Por blerjet online u bënë zakon edhe për një pjesë të kompanive dhe qytetarëve që investuan në infrastrukturën e tregtisë online.

Në një anketë të posaçme, INSTAT verifikoi se në vitin 2021, blerjet “online” janë kryer nga 21,4% e popullsisë të grupmoshës 16–74 vjeç”. Ndër blerjet “online”, produktet dhe shërbimet që zënë peshën më të madhe ishin veshje, këpucë dhe aksesorë me 88,9%, të cilat kanë treguar rritje nga viti 2020 me 4,1 pikë përqindje. Edhe në vitin 2021, rritjen më të lartë e kanë shënuar blerjet “online” për “ushqime / pije” nga dyqanet apo ofruesit.

Sa u përket blerjeve nëpërmjet internetit, sipas gjinisë, gjatë vitit 2021, gratë kanë bërë më shumë blerje për: “produkte për kujdes personal (kozmetikë, etj.)”, “produkte për fëmijë apo lodra për ta” si dhe “produkte shtëpiake”. Ndërkohë burrat kanë shfaqur preferenca më shumë në blerjet për: “të mira dhe mallra sportive”, “shërbimet e ushqimit nga restorante / fast-food apo shërbimet katering”, si dhe “ushqime apo pije nga dyqanet/ofruesit e ushqimit”.

Konsumi po mbështetet nga rritja e lartë e importeve

Konsumi i lartë i mallrave u mbështet nga rritja e importeve, si në vlerë, edhe në çmime. Gjatë 11-mujorit 2021, sipas INSTAT, importet janë rritur me 31,1%, krahasuar me 11-mujorin 2020.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +7,2 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +6,3 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,5 pikë përqindje. Ritmet e rritjes së importeve ishin të larta edhe gjatë nëntorit, një muaj para muajit të Krishtlindjeve.

Sipas INSTAT në nëntor 2021, importet në vlerë u rritën me 44,4% në raport me nëntorin 2020. Krahasuar me nëntor 2020, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +22,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,3 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +4,3 pikë përqindje.

Rritja e importeve po i përgjigjet rritjes së kërkesës së brendshme e cila shënoi rritje të fortë, ashtu si dhe në të gjithë botën, edhe në Shqipëri.

Tregjet e të “varfërve”, shitje të dobëta

Pranë zonës së Medresesë në Tiranë është tregu i madh ushqimor i shitjes me pakicë dhe shumicë, ku zakonisht furnizohen shtresat në nevojë të kryeqytetit, për shkak të çmimeve më të ulëta.

Tregtarët në këtë treg pohuan se në ditët e fundit të nëntorit dhe dhjetorit kanë pasur blerje jo të zakontë për artikuj ushqimorë industrialë. Blerjet janë bërë edhe nga frika për rritje të mëtejshme të çmimeve. Por në tregjet e pakicës brenda Tiranës (jo supermarkete) nuk ka entuziazëm të madh blerjesh në ditët e fundit të dhjetorit, zakonisht me ushqimet.

Tregtarët pohojnë se, qytetarët kanë frenuar blerjet rutinë në fruta dhe perime, ndoshta për të blerë furnizimet e festave. Këtë vit, çmimet e produkteve bazë të shportës janë rritur me ritme dyshifrore, pohojnë tregtarët, dhe kjo pengon blerje masive nga shtresat në nevojë, si pensionistët apo të papunët.

Konsumi, rritje gjatë gjithë 2021

Gjatë 9 muajve të vitit 2021, konsumi i popullatës u rrit me mesatarisht 4,2% sipas INSTAT. Në tremujorin e tretë, rritja ishte 3.3%, ku nxitësi kryesor janë produktet farmaceutike. Të dhëna të tjera të INSTAT, që u morën nga ecuria e tregtisë me pakicë, tregojnë se, rritja e konsumit në këtë tremujor u udhëhoq nga shpenzimet për produkte farmaceutike.

Pas produkteve farmaceutike, me rritjen më të lartë të shitjeve rezultojnë artikujt industrialë në njësi të specializuara tregtare, që përfaqësojnë kryesisht materialet të ndërtimit. Shitjet në këto produkte u rritën me 16% në krahasim me 3-mujorin e tretë 2019, ndërsa në raport me vitin 2020, ato u rritën vetëm me 0.8%.

Grupi i tretë me rritjen më të lartë të shitjeve ishin mobiliet dhe elektroshtëpiakët. Në 3-mujorin e tretë 2021, shitjet në këta artikuj u rritën me 11.2% në krahasim me periudhën e para-krizës dhe me 2.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Në raport me para-krizën pati rënie të shitjeve vetëm në produktet kompjuterike me rreth 2%. Kjo rënie erdhi pas mbingopjes që pati tregu nga shitjet e mëdha gjatë periudhës së karantinës në 3-mujorin e dytë të vitit 2020.

Tregtia me pakicë u ndikua ndjeshëm nga zhvillimet pandemike, të cilat riorientuan konsumin në disa artikuj, kryesisht ushqime, produkte farmaceutike. Periudha e karantinës dhe qëndrimi në shtëpi nxiti ndjeshëm rikonstruksionet dhe blerjen e pajisjeve elektroshtëpiake.

Me heqjen e masave kufizuese, shitjet u kthyen në normalitet për të gjitha produktet, por për produktet farmaceutike, kërkesa mbeti e lartë, pasi pandemia vazhdon.

Vitet e fundit, konsumi final i popullatës po ndikohet negativisht edhe nga faktori demografik. Çdo vit emigrojnë nga vendi mijëra persona, mungesa e të cilëve reflektohet menjëherë në tregti dhe konsum. Vit pas viti, qindra njësi të tregtisë me pakicë në qarqet e vendit mbyllen për shkak të pakësimit të banorëve.

Rënia e konsumit rrezikon më së shumti bizneset në sektorin e tregtisë. Ky sektor ka ardhur në tkurrje vitet e fundit. Gjatë dekadës, pesha e tregtisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto ka rënë me 1 pikë përqindje.

Vitin e fundit, konsumi i popullatës ka ndryshuar sjellje duke u përshtatur me situatën. Gjatë periudhës së pandemisë, blerjet janë përnderuar tek ushqimet, shërbimet shëndetësore dhe medikamentet dhe pajisje teknologjike që siguronin punën dhe komunikimin në distancë.

Në tre dekadat e fundit, konsumi ka qenë motori i rritjes ekonomike në vend. Kalimi nga një ekonomi e centralizuar, me cikël të mbyllur, drejt ekonomisë së tregut, e çoi modelin ekonomik të vendit nga prodhimi te konsumi. Konsumi është ushqyer veç burimeve të brendshme nga remitancat.

Konsumi, nga po “ushqehet”

Banka e Shqipërisë analizoi se konsumi i popullatës është nxitësi kryesor i kërkesës për mallra këtë vit. Analiza e autoritetit qendror bankar tregoi se konsumi privat u kthye në përcaktuesin kryesor të zgjerimit të kërkesës agregate.

Rritja e konsumit gjatë vitit pandemik u drejtua kryesisht nga shpenzimet për nënkategoritë e mallrave të qëndrueshme dhe të shërbimeve, duke reflektuar edhe një efekt të bazës së ulët të një viti më parë. Nga ana tjetër, shpenzimet për mallra ushqimore shënuan rënie gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, pasi ishin rritur në vitin paraardhës.

Lehtësimi i kufizimeve dhe ulja e pasigurisë janë faktorët kryesorë që ndikuan në gjallërimin e kërkesës. Rritja e kredisë për individë dhe e të ardhurave në formën e remitancave kanë mbështetur zgjerimin e konsumit privat në këtë tremujor.

Banka e Shqipërisë parashikoi se, konsumi privat pritet të shënojë rritje edhe në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit. Sipas Bankës, vlerësimet mbi konsumin tregojnë përvijimin e dinamikës pozitive të konsumit privat në këtë periudhë, që mbështeten nga performanca e treguesve të tërthortë.

Importi i mallrave për muajin nëntor 2021 ishte me rreth 44% rritje, çka tregojnë për rritje të konsumit gjatë festave. Gjithashtu, treguesit e besimit në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë vijuan përmirësimin, duke sinjalizuar konsumin e lartë edhe në sezonin festiv./MONITOR

POST A COMMENT