“Para fëmijëve, asnjë nënë nuk vë veten e saj.” – Neda Balluku konfirmon ndarjen nga Ogreni
Në episodin e mbrëmjes së djeshme në “Goca dhe Gra”, një ndër të ftuarat ka qenë ish-banorja e Big Brother dhe tashmë bashkëautore e “Përputhen”, Neda Balluku.
Ditët e fundit është përfolur shumë në mediat e shkruara se ajo ishte duke u ndarë nga partneri i 10 viteve, Ogren Balluku, por deri dje gjithçka mbetej në kuadër të thashethemeve.
E pikërisht për të sqaruar këtë çështje, Neda i është përgjigjur me qetësi disa prej pyetjeve të moderatoreve të programit, për të zbardhur atë çka vërtetë ka ndodhur. E përlotur, ajo pranoi se vitet e fundit marrëdhënia e tyre nuk ka qenë e mirë dhe se tashmë prej kohësh jetojnë të ndarë.
“Prej shumë vitesh marrëdhënia nuk është më e shëndetshme. Prej disa kohësh jetojmë të ndarë dhe kjo është gjithçka dua të them për këtë moment, sepse do të doja ta menaxhoja me privatësi. Prioriteti im më i madh janë fëmijët. Mendoj se duhen mbrojtur, duhet të jemi afër dhe dua t’u them se mami ju do shumë, jeni jeta ime,” – u shpreh ajo mes lotësh, drejtuar 3 fëmijëve të saj.
Neda gjithashtu iu përgjigj edhe një pyetjeje provokuese të Ori Nebijajt, nëse divorci në këtë moment ishte një vendim i rastësishëm ose jo. Kujtojmë se thashethemet thonë se Neda “kërkoi divorc pikërisht tani që kunata e saj Belinda Balluku do të hetohet nga SPAK”, por nuk është ky rasti.
“Nuk e di kush në këtë botë merr vendime impulsive apo emocionale kur bëhet fjalë për fëmijë dhe familje. Duhen vite për të menduar dhe për të marrë vendime të tilla. E kuptoj kuriozitetin e njerëzve, pasi historia jonë e dashurisë ka qenë publike për vite me radhë.” – shtoi bashkëautorja e “Përputhen”, e cila përmendi edhe faktin që një krizë e ka prekur çiftin edhe para 5 viteve, por arritën të bashkohen sërish, çka më pas solli në jetë edhe një vajzë.
E pyetur nëse kërkesën për divorc e bëri më shumë për veten apo për fëmijët e saj, Neda tha se ajo nuk mund të vërë asgjë para fëmijëve.
“Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient të shëndetshëm, me marrëdhënie të shëndetshme mes prindërve, të jetë i qetë dhe i lumtur. Para fëmijëve, asnjë nënë nuk e vë veten e saj.” – tha ajo.
Kujtojmë se Neda dhe Ogreni u njohën gjatë pjesëmarrjes në Big Brother 4, lidhje që më vonë u kurorëzua me martesë. Çifti ka tre fëmijë së bashku.
