Sorry, no posts matched your criteria.

Festat e Miriam Canit

Miriam Cani ka shumë arsye për të festuar. Në aspektin professional ajo është një artiste e dashur për publikun dhe e suksesshme në karrierën e saj. Me një rrugëtim që njeh vetëm ngritje, ajo ja ka dalë të jetë një ndër emrat më të suksesshme në tregun shqiptar, por jo vetëm. Në aspektin personal, Miriami ndjehet mëse e plotësuar si bashkëshorte, dhe nënë e Amel dhe Duam. Sot Miriami ka shumë arsye për të festuar. Ditëlindja e Amel, suksesi i “Mimi” dhe një tjetër vit që mbushet me triumfe. Kjo është festa e Miriam Canit, që zgjedh ta ndajë me Global Woman

Miriam Cani si artiste, si nënë, si businesswoman, cili prej këtyre roleve iu përshtat më thjesht dhe cili më vështirë?

Pyetje shumë e vështirë! Do thoja që të treja plotësojnë dhe frymëzojnë njëratjetrën. Pa diskutim që roli i nënës është ai i cili ka prioritet dhe qëndron mbi gjithcka dhe është pikërisht ajo pjesë e cila më motivon cdo mëngjes për të krijuar të bukurën si në art ashtu dhe në projektin dedikuar Mimi-t.

Sot me sytë e suksesit, si sheh veten Miriami?

Jam falenderuese çdo ditë për gjithçka që Zoti më ka dhuruar dhe në rrugët që më ka drejtuar. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë një familje e shëndoshë me themel e cila shkëmben shumë dashuri. Dashuri të pastër. Një familje e cila është mbështetja më e madhe në momentet e mira dhe të vështira në jetën tënde. Mendoj që burimi i çdo suksesi është familja. Aty nis gjithçka. Ajo të jep forcën për të përballuar çdo sfidë me të cilën jeta të përballë. Ajo të motivon, ajo të frymëzon.

Kur bëni një retrospektivë, si e vlerësoni rrugëtimin tuaj?

Një rrugëtim aq sa i bukur aq edhe i vështirë. Një rrugëtim me shumë sakrifica. Me shume dashuri dhe mundim. Një rrugëtim me shumë ulje dhe ngritje emicionale. Me shumë sfida personale dhe profesionale.  Shkëputja e këtyre viteve nga Gjermania në Shqiperi ska qenë e thjeshtë për mua. Përshtatja në tregun dhe mentalitetin shqiptar. Por në momentin që u bëra nënë gjithçka mori një tjetër kuptim dhe vlerë. Tashmë nuk ka më rëndësi se ku ndodhem, më mjafton të kem femijët dhe Albanin pranë vetes. Me ta jeta është çdo ditë një bekim.

A ka pasur ndonjë moment që ka shënjuar karrierën tuaj?

Ka qenë viti 2003 ku për mua gjithcka nisi pas fitores në programin televiziv Popstars në kanalin gjerman Pro7.

Nëse i vendosni në peshore, çfarë ka ndikuar më shumë te ju, vullneti, profesionalizmi, talenti apo fati?

Është një ndërthurje e të gjitha këtyre pikëve që përmende. Nëse ke shumë talent por jo vullnet dhe punë mbetesh aty ku je. Ndonjeherë duhet të jesh në vendin e duhur në momentin e duhur dhe shpesh herë ndodh që një vendim i caktuar mund të ndryshoj krejtësisht jetën tënde. Ashtu ndodhi me mua në moshën 17 vjeç ku ëndrra ime ishte të merrja pjesë në Talentshow-n gjerman Popstars. Shihja reklamat cdo ditë në TV dhe artistët që kishin lindur nga ai format televiziv dhe ëndërroja të isha dhe unë aty. Kur u publikuan datat e qyteteve të ndryshme ku do mbahej konkursi u nisa e vetme 2 orë larg qytetit ku banoja me tren pa i thënë askujt se ku po shkoja pasi kisha frikë se mos nuk më pranonte juria. Dhe fati deshi që mbas 6 muajve emisioni televiziv midis 35.000 konkurentëve dhe skualifikimeve që bëheshin javë pas jave unë arrita finalen dhe u bëra pjesë e grupit Preluders. Pra momenti i duhur në vendin e duhur dhe natyrisht vullneti, talenti, puna dhe pak fat!

Flasim pak për ‘Mimi’, si ju erdhi kjo ide biznesi?

MIMI lindi si një dëshirë dhe ëndërr e hershme për të krijuar gjithcka që ka të bëj me të bukurën për fëmijë. Sidomos pasi bëhesh prind kjo ndjesi dhe dëshirë përforcohet. Kur jam njohur me Eda Gilanin krahun tim të djathtë në këtë sipërmarrje, kuptuam që idetë, vizionet dhe shijet i kishim njësoj. E nisëm me një ide më të vogël dhe mbushja e vitit të parë të Mimi-t na gjeti me 2 dyqane në Tiranë dhe në Prishtinë. Besoj se 1 herë në jetë të ndodh të takosh një person dhe pas shumë pak kohësh të jep ndjesinë sikur ke një jetë që e njeh dhe punon me të. Kemi krijuar një lidhje shumë të fortë bashkë, sidomos atë njerëzoren. Ndihem me fat që e kam krah Edën si shoqe, si motër dhe si partnere në këtë projekt. Asnjë kafe s’më shijon si me Edën dhe asnjë fustan i •MIMI Couture• nuk ka shkëlqimin e tij nëse nuk krijohet nga ne të dyja.Eda është më e mira në profesionin e saj. Jo vetëm në raport me njerëzit që punon por dhe në krijimtari. Nuk bën kompromis me cilësinë.Është një njeri me një zemër të madhe dhe një karakter të fort dhe të qëndrueshëm. Në kohët e sotme është e rrallë të njohësh njerëz të tillë. E konsideroj veten me shumë fat që e kam pjesë të jetës time.

Si e gjetët këtë treg në vend?

Mimi nisi në kohën më të vështirë në pandemi. Por jemi shumë mirënjohës që është përqafuar me shumë dashuri nga njerëzit në një kohë aq të shkurtër dhe ka krijuar një klientel të mrekullueshme me njerëz që jetojnë në vende të ndryshme të botës të cilët na mbushin dhe frymëzojnë çdo ditë me feedback-un e tyre pozitiv.

A ka qenë më e lehtë për faktin që keni qenë një imazh i njohur?

Jo gjithmonë është avantazh kjo pjesë. Në momentin që je person publik hapat që ti merr shikohen nga njerëzit më me imtësi dhe gjykohen më lehtë. Njerëzit presin shumë nga ti. Përgjegjësia është shumë e madhe sepse çdo gjykim që ti merr ndikon dhe në profilin dhe imazhin tënd artistik ndaj kujdesi në çdo hap që hedhim është shumë  i madh. Nuk duam të zhgënjejmë askënd ndaj përpiqemi të kurojmë produktin deri në detaj dhe shërbimi të jetë maksimal ndaj klientit.Jemi tejmase të lumtur që feedback-u ka qenë i jashtzakonshëm.

Çfarë sjell Mimi për fëmijët?

Mimi është brand-i parë shqiptar i cili prodhohet në fabrikat ndërkombëtare me cilësinë më të lartë të tekstilit. Janë fabrika të certifikuara nga GOTS (Global Organic Textile Standard). Janë veshje organike, ekologjike dhe me 0% kimikate për tu përkujdesur dhe për të mbrojtur lekurën e bebave dhe fëmijëve. Çdo proces që nga mbjellja e pambukut, grumbullimi, përpunimi, boja dhe përgatitja e tekstilit është në harmoni të plotë me natyrën dhe pa perdorur asnjë kimikat të dëmshëm.Bashkë me Koleksionin e organikut vjen dhe •MIMI COUTURE• i cili ka rezultuar si një sukses shumë i madh i Brand-it Mimi. Fustanet janë të gjithë të designuara nga Eda Gilani dhe mua. Janë modele shumë ekskluzive të cilat ndërtohen nga një staf prej 24 personash ku puna e dorës është kryefjala dhe çdo material i cilësisë më të lartë për të garantuar sigurinë maksimale për fëmijët.Pika e fortë e MIMI COUTURE është që gjithcka punohet me dorë dhe i jep klientit eklskluzivitetin e veshjes e cila krijohet enkas për të.

Keni menduar të zgjeroheni në biznes dhe në sektor të tjerë?

Deri në këtë moment MIMI ofron kategoritë

MIMI ORGANIC

MIMI COUTURE

MIMI KIDS

MIMI FAIRYTALE

MIMI SHOES

MIMI TOYS

Risia këtë fundvit është sektori kozmetikë

•MIMI CARE• i cili do të ofroj 15 produkte për fëmijë 100% natyrale dhe organike të certifikuar ndërkombëtarisht nga COSMOS.Ky certifikim vjen për herë të parë me një produkt shqiptar. Është një projekt i cili nisi 1 vit e gjysëm më parë dhe na është dashur të presim certifikimin COSMOS duke kaluar hap pas hapi procedurat e kontrollit të cilësisë dhe cdo ingredienti që përmbajnë produktet deri në momentin që  u aprovuan si produkte 100% natyrale për të na dhënë  mundësine që •Mimi Care• të tregëtohet në të gjithë botën me certifikimin që mban.

Amel dhe Duam, çfarë ndjesish përjetoni si nene?

Është ndjesia më e bukur në botë. Në momentet më të vështira emocionale dhe çdo sfidë me të cilat jeta të përballë ata janë forca më e madhe. Me ta ndihesh si mbi një karusel ndjenjash ku frika, forca, lumturia, lodhja, dhimbja, gëzimi dhe shpresa ecin bashkë të ndërthurura me njëratjetrën.Në momentin që jam bërë nënë e shoh ndryshe jetën. Gjithçka që sot bëj e bëj për ta dhe nuk dua asgjë në jetë më shumë se shëndetin dhe lumturinëe tyre.

Cfarë nëne është Miriami?

Shpresoj të jem një nënë e mirë. Por më mirë të pyesësh Amelin dhe Duamin për këtë gjë. Di të them që në familjen tonë shkëmbehet shumë dashuri. Ndonjëherë më duket sikur më shumë nga ç’duhet. Jemi një katërshe që nuk ngopet duke u puthur e përqafuar.Dua qe kur fëmijët e mi të rriten të më shohin jo vetëm si nënën e tyre por edhe si shoqen e tyre më të mirë. Ashtu sic kam ndjerë unë për mamanë time. Uroj të jem e mirë sa gjysma e saj.

Ndonëse të vegjël në moshë, a keni nisur ti orientoni fëmijët drejt artit?

Besoj se Ameli dhe Duami e kanë në genë këtë gjë. Janë shumë të lidhur me muzikën dhe ritmin. Fëmijët duam ti lëmë të lirë të ndjekin zemrën e tyre ashtu siç kemi bërë edhe ne. Asgjë nuk zgjat në jetë nëse nuk bëhet me zemër dhe pasion.

Ndërkohë ju dhe Albani jeni ndër çiftet më të pëlqyera për publikun, cili është sekreti i jetëgjatësisë suaj si cift?

Albani dhe unë bëjmë për pak muaj 15 vite bashkë. Por mua më duket sikur jemi njohur dje dhe njëkohësisht sikur kemi një jetë bashkë. Mendoj që vitet përcaktohen nga ngjarjet dhe eksperiencat që kalon bashkë. Zoti na bashkoi në momentet më të vështira dhe bashkë kemi kaluar cdo sfidë emocionale duke qenë shtylla më e fortë për njëritjetrin.Është gjysma ime pa të cilin nuk do imagjinoja dot asnjë ditë. Është bashkëshorti, babai dhe shoku më i mirë që mund të kesh në jetë. Dhe pa diskutim artisti i shpirtit tim i cili vazhdon dhe më emocionon dhe përlot me zërin dhe muzikën e tij. Unë që jetoj prej kaq shumë vitesh me të mund të them që është njeriu me shpirtin më të madh dhe më të pastër që unë kam njohur.

Dukeni si çifti perfekt, si i kaperceni kontraditat në çift?

Para se të bënim fëmijë kishim më shumë durim për t’u grindur dhe mbajtur mëri. Tani që erdhën fëmijët nuk zgjat më shumë se 5 minuta. Kur bëhesh me fëmijë kupton sa pavlerë janë disa gjëra të cilave mund ti kesh kushtuar shumë rendesi apo energji më parë. Mendoj që me vitet njerëzit arrijnë të njohin dhe kuptojnë shumë mirë njëri-tjetrin dhe gjërat ndonjëherë nuk janë aq të ndërlikuara. Është çështje këndvështrimi. Me rëndësi është të dish të pranosh partnerin edhe me defektet e tij pasi perfeksioni nuk ekziston. Duhet të lesh egon me një anë dhe të reflektosh vazhdimisht edhe mbi veten.Më e rëndësishmja te dy njerez është komunikimi. Ne të dy jemi njerëz që flasim shumë me njëri-tjetrin.

Ka momente kur jeni “xheloz” për suksesin e njëri-tjetrit?

Nuk e kemi patur kurrë këtë problem. Madje lumturohemi më shumë për njëri-tjetrin se sa për veten. Jemi munduar gjithmonë ti japim njëri-tjetrit kurajo, frymëzim dhe energji të mirë për të krijuar.

Sot cila është gjëja më e arrirë në jetën tuaj personale dhe profesionale?

Në jetën personale pa diskutim që është familja ime. Në jetën profesionale dua të vleresoj çdo punë dhe çdo arritje qoftë në muzikë, në televizion apo në sipërmarrjet tona të reja. Gjithçka është arritur me shumë punë ndaj nuk do doja të veçoja njerën apo tjetrën.

Ke një mesazh për të gjithë artistët e rinj?

Gjëja më e rëndësishme është të jenë gjithmonë vetëvetja sepse vetëm ashtu do ndihen mirë me veten e tyre dhe nën lëkurën e tyre. Është shumë e rëndësishme të jesh në rradhë të parë në paqe me veten dhe të dish cfarë do dhe ta përfaqesosh atë me bindje dhe dinjitet. Ti qëndrojnë besnik parimeve të tyre dhe më e rendesishmja është të ruajnë raportet njerëzore me njerëzit që i rrethojnë . Ndonjëherë  suksesi ashtu sic vjen edhe ikën. Njerëzit e vërtetë jane ata qe mbeten. Mos të humbasin kurrë vlerat njerëzore dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

POST A COMMENT